Erzeni kualifikohet për fazën tjetër

Futboll

Erzeni kualifikohet për fazën tjetër

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 11:13
Erzeni kualifikohet për fazën tjetër

Ka qenë një javë e vështirë për qytetarët e Shijakut, i prekur rëndë nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. Por ekipi i Erzenit në volejboll ua ka thyer sadopak buzëqeshjen me fitoren 3-0 ndaj Partizanit për Euro kupën CEV. Seti parë 25 -16, Seti dytë 25-19 dhe ai i  tretë  26-24. Erzenit i duheshin vetëm dy sete për t’u kualifikuar pas fitores 3-0 me Partizanin në Tiranë.

Sulmet e forta të lojtarëve të Erzenit si Asmend Kula 13, Vuk Medenica 15 dhe Anis Cullhaj 11 dhuruan spektakël, shoqëruar me duartrokitje në pallatin e sportit Dhimitraq Goga. Partizani u mundua të marrë frenat e lojës por e kishte të pamundur të përballonte dhe të fitonte përparësi ndaj Erzenit.

Kristi Berdufi  lojtari me numrin 10  i Partizani në rolin e liberos bëri të pamundurën për të organizuar të tijtë kundër ish-ekipit ku u shpall kampion, por e gjithë dinamika e këtij dueli kontrollohej nga shijakasit.

Ndeshja e kthimit  ishte caktuar të zhvillohej më 27 nëntor, nën drejtimin e një arbitri të parë moldav, me ndihmës një arbitër turk, po në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” . Mirëpo tërmeti i fortë i së martës, 26 nëntor si dhe shpallja nga qeveria e gjendjes së pjesshme të jashtëzakonshme nuk krijonte kushtet normale për zhvillimin e takimit.

Ndaj dhe CEV e pa me vend shtyrjen dhe zhvillimin e tij më 4 dhjetor. Ekipi Erzenit u drejtua nga trajneri Arben Sako dhe ndihmësi i tij Rezart Muka. Partizani në këtë ndeshje drejtohej  nga ndihmës trajneri Elton Tukseferi, ndërsa trajneri i parë, Ylli Tomorri, ndodhet jashtë vendit për arsyet personale. Erzeni, më 10 dhe 17 dhjetor, do të ndeshet me italianët e “Allianz Power Voley” të Milanos, që mban vendim e katërt në kampionatin Italian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat