Conte dridhet nga e kaluara, Roma është “macja e zezë” e zikaltërve

Futboll

Conte dridhet nga e kaluara, Roma është “macja e zezë” e zikaltërve

Më: 6 dhjetor 2019 Në ora: 09:32
Antonio Conte

Java e 15-të e Serie A hapet me ndeshjen e madhe mes Interit dhe Romës (ora 20:45). Një sfidë magjepsëse, e cila gjithmonë ka qenë e luftuar. Edhe këtë sezon kthehet për t’i dhënë kuptim një rivaliteti, që i sheh zikaltrit në krye dhe kryeqytetasit të pestët në klasifikim.

Pas parakalimit të Juventusit javën e kaluar, Antonio Conte dëshiron të mbetet “violinë e parë” në Serie A, madje të rrisë distancën nga bardhezinjtë. Para se të bëjnë presion ndaj Juventusit, i cili do të luajë një transfertë të vështirë në kryeqytet, kundër Lazio, zikaltrit do të duhet të kapërcejë Romën. Një angazhim aspak i lehtë, duke pasur parasysh që verdhekuqtë po kalojnë edhe një moment të shkëlqyer sportiv. 

Pas humbjes kundër Parmës, dy javë më parë, të besuarit e Fonseca bënë autokritikë, duke shënuar nga tre gola për ndeshje në tri ballafaqimet e fundit, midis “Europa League” dhe Serie A. Një test interesant për mbrojtjen e Interit, e cila, ndryshe nga javët e para të kampionatit, gjithmonë ka pësuar në sfidat e fundit. Por, a do të jetë Dzeko në majë të ofensivës kryeqytetase sonte?

Sulmuesi boshnjak ka patur ethe dhe nuk është stërvitur mirë këto ditë, por trajneri Paulo Fonseca duhet të guxojë me të dhe ta hedhë në lojë që nga minuta e parë. Nëse boshnjaku nuk ia del, atëherë ka hapësirë për zgjidhjen innovative, me Zaniolo si “9 fals”.

Fonseca, gjithashtu, duhet të zgjidhë një balotazh të rëndësishëm mes dy lojtarëve në gjendje të shkëlqyer, të kthyer nga lëndimet, siç janë Mkhitaryan dhe Perotti. Për momentin armeni është në epërsi për një fanellë titullari. Për pjesën tjetër, gjithçka konfirmohet, me Pellegrini afër majës dhe Diawara përkrah Veretout. Formacion klasik edhe për Interin, me çiftin e sulmuesve titullar, të formuar nga Lukaku dhe Lautaro Martinez. Ata kanë qenë “zjarr” në javët e fundit. Candreva dhe Biraghi do të pozicionohen në krahë, ndërsa mesfusha duhet të bazohet vetëm te Brozovic, Borja Valero dhe Vecino. Të tjerët janë të pamundur.

Në mbrojtje, e vetmja dilemë e Conte është Godin apo D'Ambrosio. I pari është disi më i favorizuar. Vitet e fundit, në “San Siro”, zikaltrit kanë vuajtur shumë ndaj verdhekuqve. Interi ka fituar vetëm 3 nga 14 ndeshjet e tij të fundit në Serie A, në shtëpi, kundër Romës. E fundit më 2015. Pesë fitore të kryeqytetasve dhe gjashtë barazime plotësojnë pjesën tjetër të ndeshjeve mes këtyre dy skuadrave në “San Siro”.

Formacionet e mundshme:
INTER (3-5-2): Handanovic; Godin, De Vrij, Skriniar; Candreva, Vecino, Borja Valero, Brozovic, Biraghi; Lukaku, Lautaro Martínez
ROMA (4-2-3-1): Pau López; Spinazzola, Mancini, Smalling, Kolarov; Diawara, Veretout; Zaniolo, Pellegrini, Mkhitaryan; Dzeko

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat