Dybala dhe Ronaldo shënjestrojnë kreun, por duhet kaluar... Strakosha

Futboll

Dybala dhe Ronaldo shënjestrojnë kreun, por duhet kaluar... Strakosha

Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 09:38
Dybala dhe Ronaldo

Barazimi i mbrëmshëm i Interit i ofron Juventusit mundësinë e një parakalimi të ri në krye të renditjes së Serie A. Të besuarit e Sarrit do të vizitojnë “Olimpico”, ku do të sfidojnë Lazio, një nga skuadrat më në formë të kampionatit italian. Bardhekaltrit e Inzaghi nuk kanë humbur në nëntë ndeshje (shtatë fitore radhazi në shtatë ndeshjet e fundit) dhe arrijnë në këtë ballafaqim të madh me ambicien për të synuar sa më lart. Një fitore mbrëmjen e sotme do t’i poziciononte kryeqytetasit vetëm tri pikë larg “Zonjës së Vjetër” dhe pesë pikë nga Interi.

Juventusi, nga ana e vet duhet të shpaguajë hapin fals në shtëpi, ndaj Sassuolo, ndeshjen e kaluar. Për të rikapur kreun do të jetë radha e Ronaldos. Portugezi do të marrë në dorë “frenat” e repartit ofensiv, së bashku me Dybala, shumë të frymëzuar. Një tjetër mundësi për Bernardeschi, i vërshëllyer nga publiku në sfidat e fundit, por ende i gatshëm për të vepruar mes mesfushës dhe sulmit. Hapësirë për të, edhe për shkak të problemit muskulor të Ramsey. 

Lëndimi i Khedira krijon hapësirë për Bentancur, i cili do të kompletojë mesfushën së bashku me Pjanic dhe Matuidi. Szczesny do të kthehet midis shtyllave, në vend të Buffon. De Sciglio, i favorizuar ndaj Cuadrado, do të luajë në të djathtë të mbrojtjes. Inzaghi e rifillon me duetin sulmues Immobile-Correa, që pritet të mbështeten nga Milinkovic-Savic dhe Luis Alberto në mesfushë. Lazzari dhe Lulic janë konfirmuar në korsitë e jashtme, ndërsa Luiz Felipe do të kompletojë treshen mbrojtëse pranë Radu dhe Acerbi.

Këto janë formacionet e mundshme:
LAZIO (3-5-2): Strakosha; Luiz Felipe, Acerbi, Radu; Lazzari, Milinkovic-Savic, Leiva, Luis Alberto, Lulic; Immobile, Correa
JUVENTUS (4-3-1-2): Szczesny; De Sciglio, Bonucci, De Ligt, Alex Sandro; Bentancur, Pjanic, Matuidi; Bernardeschi; Dybala, Ronaldo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat