Lukakun e “futi në xhep”, Solskjaer kërkon kthimin e mbrojtësit anglez

Futboll

Lukakun e “futi në xhep”, Solskjaer kërkon kthimin e mbrojtësit anglez

Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 12:06
Chris Smalling

Një tjetër shfaqje e shkëlqyer e tij, një rilindje thuajse e papritur e mbrojtësit anglez. Mbrëmë në “San Siro” kemi pasur rastin të admirojmë një Chris Smalling të jashtëzakonshëm, që e “futi në xhep” ish-shokun e skuadrës, Romelu Lukaku. Ai po e imponon veten së bashku me Gianluca Mancini në qendër të mbrojtjes së Paulo Fonseca, aq shumë, sa po flitet për një qëndrim përfundimtar në kryeqytetin Italian. Smalling mbërriti në formë huazimi gjatë verës, por Roma do të dëshironte ta blinte atë plotësisht.

“Spektator” i vëmendshëm është pronari i kartonit të tij, Manchester United, i cili përmes gojës së trajnerit Ole Gunnar Solskjaer ka bërë të ditur se do të besojë sërish te Smalling në të ardhmen, pasi të përfundojë periudha e huazimit në Serie A: “A do të kthehet në Manchester verën e vitit 2020? Po. Ndonjëherë, ndryshimi i mjedisit mund të jetë me rrezik për futbollistët, por Chris është lloji që i pëlqen të përballet me sfida të tilla. Ai është inteligjent dhe është përshtatur shpejt me stilin e jetës italiane. Unë jam i lumtur për të, sepse po tregon lojtarin që është në të vërtetë”.

Nga ana e saj, Roma mund të provojë blerjen e anglezit në muajt e ardhshëm. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, qëllimi i drejtorit sportiv, Gianluca Petrachi, është të vendosë 15 milionë euro në “pjatë”, përpara një kërkese për të paktën 20 milionë euro nga “Djajtë e Kuq”. Në Serie A, Juventusi dhe Interi, gjithashtu kanë vërejtur formën e shkëlqyer të mbrojtësit në fjalë, ndaj po e ndjekin evolucionin e negociatave me interes. Për Smalling, 14 paraqitje (të gjitha si startues) në këtë sezon dhe dy gola të shënuar ndaj Udinese dhe Brescia, përbëjnë CV të mrekullueshme, sa për të rënë në “dashuri” me të Roma, por edhe klube të tjera italiane. Nëse ndokush ka ende dyshime për potencialin si mbrojtës, le të pyesin Romelu Lukaku. Belgu i Interit e provoi mbrëmë se çdo të thotë “morseta” angleze…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat