Shorti i Kupës së Kosovës, kështu e komentojnë drejtuesit e klubeve

Futboll

Shorti i Kupës së Kosovës, kështu e komentojnë drejtuesit e klubeve

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 13:12
Ilustrim

Sot në zyret e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur shorti për ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll.

Në këtë fazë të garave do të luhen gjithsej katër ndeshje, ku ajo më interesante është ndërmjet Drenicës dhe Gjilanit. Prishtina do të luajë si vendas ndaj Vushtrrisë, ndërsa kampioni vjeshtor i Kosovës do të luajë ndaj Dukagjinit në Klinë.

Ja çiftet e plota: 

Drenica – Gjilani

Dukagjini – Ballkani

Liria-Feronikeli

Prishtina -Vushtrria

Hedhjen e shortit e komentuan drejtues të klubeve të Prishtinës, Drenicës dhe liderit momental të Superligës, Ballkanit.    

Nëkkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi u shpreh se ky short si të gjithë të tjerët nuk do të jetë aspak i lehtë, pasi që sipas tij Vushtrria ka një skuadër të fortë dhe mund ti shkaktojë probleme djelmoshave të Dallkut.

Muçiqi: Ndaj Vushtrrisë, ndeshje e vështirë

“Mendoj që vare se si e shikojmë, prej një pamje tjetër, Prishtina e respekton çdo kundërshtar dhe mendoj që është një koincidence sepse do të luajmë me Vushtrrinë  edhe për Kupë dhe menjëherë gjiron e parë jemi prapë me Vushtrrinë, kështu që të shohim. Respekt për kundërshtarin të jashtëzakonshëm sepse e dimë fare mirë që ndeshjen e fundit Vushtrria e ka mposhtur edhe liderin momentet të Superligës. Kështu që do ta marrim atë ndeshje me një seriozitet sikurse të gjitha ndeshjet tjera”, tha Muçiqi.

Zyrtari i klubit futbollistik Drenica, Granit Koci u shpreh se ky short ka qenë më i vështiri për skuadrën e Drenicës, mirëpo sipas tij gjasaj janë 50-50 për një kalim në fazën tjetër për të dyja skuadrat.

Koci: Shorti shumë i vështirë për ne

“Nëse shortet para këtij kanë qenë pak më të lehta, ky ka qenë ndoshta pak short më i vështirë, megjithëse të gjitha ekipet mendoj që ne pjesën pranverore do të bëjnë ndryshime dhe të vijnë në situata tjera për të zhvilluar ndeshjet. Gjithsesi ky është shorti, fati e deshi kështu dhe ne do të luajmë me Gjilanin si vendas. Unë mendoj që gjasat janë 50-50 për të dyja ekipet”, tha Koci.

Arben Osmani, drejtori i përgjithshëm i  FC Ballkani, tha se klubi nga Suhareka ka synim të bëjë lojë të mirë, pa dashur të komentojë cilësinë dhe forcën e kundërshtarit.

Osmani: Synimi ynë të bëjmë lojë të mirë

“E konsiderojmë të volitshëm sikurse edhe çdo lojë që ka qenë deri më tani, sepse ne do të dalim në fushë për të dhënë maksimumin, më bë lojën tonë, kështu që cilido ekip që kish ra për neve është e mirëseardhur. Ballkani ka synim vetëm të shfaq futboll të mirë, të tjerat do të vijnë, në fushë do ti demonstrojmë të gjitha kualitetet të cilat i posedojmë”, deklaroi Osmani.

Ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës do të zhvillohen vitin e ardhshëm, përkatësisht me 8 dhe 9 shkurt të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat