Senad Alirifa me stafin e tij, ‘ajka’ e trajnerëve në Kosovë

Futboll

Senad Alirifa me stafin e tij, ‘ajka’ e trajnerëve në Kosovë

Më: 14 dhjetor 2019 Në ora: 11:17
Senad Alirifa dhe ndihmësi i tij Skënder Ulluri

Senad Alirifa synon që bashkë me klubin e tij ku është trajner, Malishevën të inkuadrohet në Superligën e Kosovës.

Hapat e parë të trajnerit i ka filluar qysh në moshën 21-vjeçare. Fillimisht si trajner i grupmoshave të Rahovecit, e pastaj pjesë e stafit të Bylbyl Sokolit me ekipin e Ferizajt në vitin 2013.

Bëhet fjalë për Senad Alirifën, i cili ishte pjesë e klubit të Rahovecit në Ligën e parë të futbollit në vitin 2014, ku qëndroj deri në vitin 2017.

“Vij nga qyteti i Rahovecit. Punën si trajner e kam filluar me “Rahovec Spari” në vitin 2013. Pastaj kam qenë i angazhuar me Bylbyl Sokolin në Ferizaj që ishte në Ligën e Parë. Pas asaj kohe Rahoveci është inkuadruar në Ligën e Parë ku më kanë bërë ofertë për t’u bërë trajner. Ishte një eksperiencë shumë e mirë pasi isha shumë i ri për të mu besuar një detyrë e tillë”, tregon për RTV Dukagjinin, Senad Alirifa – trajner i KF Malishevës.

Mbase i ri në moshë, Alirifa, po jep predispozita të forta se mund të jetë njëri prej më të mirëve në profesionin e tij, madje në një të ardhme shumë të afërt, por thotë se të punosh si trajner në Kosovë është një punë jo pak e lehtë.

“Në Kosovë është shumë e vështirë të punosh si trajner me përjashtim të diska klubeve. Kur nuk janë kushtet është e vështirë të bësh punë profesionale”, deklaroi më tej Senad Alirifa.

29-vjeçari aktualisht është trajner i klubit të futbollit Malisheva, ekip ky që u inkuadrua në Ligën e parë fale punës së madhe nga trajneri rahovecas, e që tashmë për synim ka promovimin në Superligën e Kosovës.

“Më ka bërë ofertë KF Malisheva që në atë kohë ishte në Ligën e Dytë. Objektiv kishin Ligën e Parë dhe unë pranova. Për një sezon arritëm të futemi në Ligën e Parë”, tregon më tej Senad Alirifa.

Në sezonin vjeshtor, ekipi që Senadi drejton, Malisheva ka arritur të grumbullojë 26 pikë dhe është në pozitën e katërt në tabelë, me 2 pikë më pak se vendi i parë, Besa e Pejës, dhe natyrisht synim i tij dhe klubit është padyshim Superliga e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat