Frikë nga trazirat

Futboll

Frikë nga trazirat

Më: 14 dhjetor 2019 Në ora: 11:27
Frikë nga trazirat

Në Katalonjë garantojnë se ndeshja mes Barcelonës dhe Realit të Madridit e planifikuar për t’u luajtur më 18 dhjetor do të zhvillohet dhe nuk ka asnjë rrezik apo arsye që mund ta ndalojë atë.

Sigurisht që protestat e shumta që do të zhvillohen në Barcelonë në atë datë e kanë rritur vigjilencën e policisë dhe të forcave speciale, të cilat garantojnë rendin dhe qetësinë për tifozët dhe për skuadrat që do të zbresin në fushën e lojës.

Mendohet se skuadra e Realit të Madridit, e cila shihet si përfaqësuese e Spanjës dhe jo e Katalonjës mund të jetë në shënjestrën e “Tsunami Democratic”. Këta të fundit kanë planifikuar të bllokojnë skuadrën madrilene dhe të mos e lejojnë që të shkojë nga hoteli në stadium. Reali nuk ka ndërmend që të udhëtojë një ditë përpara ndeshjes, por thjesht më 18 dhjetor.

Po mendohet që të dyja skuadrat të akomodohen për disa orë në të njëjtin hotel dhe pastaj të dalin jashtë të dyja në mënyrë që protestuesit të jenë më të përmbajtur dhe të mos jenë radikalë në objektivin e tyre. Sigurisht që do të ketë ndonjë plan nga organizatorët në mënyrë që të mos cenohet siguria e Realit të Madridit.

Megjithatë, në Barcelonë garantojnë se nuk do të ketë asnjë problem dhe ndeshja do të zhvillohet si normalisht. Forcat speciale të policisë janë të përgatitura dhe kanë marrë masat për gjithçka. Përmes një komunikate ato sigurojnë se nuk do të ketë probleme në zhvillimin e ndeshjes sepse protestuesit nuk kanë parashikuar asnjë akt të dhunshëm.

I vetmi rrezik është që të futen disa tifozë në fushën e lojës, por forca të shumta policie do të ketë edhe anash fushës në mënyrë që lojtarët të mos ndihen të rrezikuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat