Interi prenoton talentin shqiptar për në qershor

Futboll

Interi prenoton talentin shqiptar për në qershor

Më: 8 janar 2020 Në ora: 12:49
Interi prenoton talentin shqiptar për në qershor

Sezoni surprizues i Veronës i ka shtyrë skuadrat e mëdha italiane të hedhin sytë nga talentët verdheblu. Veçanërisht Napoli dhe Interi kanë shfaqur interes konkret për disa nga të futbollistët që drejtohen nga Ivan Juric, ku bëjnë pjesë edhe dy mbrojtësit shqiptarë, Amir Rrahmani dhe Marash Kumbulla. Qendërmbrojtësi i “Dardanëve”, sipas medieve italiane është prenotuar nga Napoli, ndërsa për 19-vjeçarin e Kombëtares së Shqipërisë ka zhvilluar bisedime të avancuara Interi.

Zikaltrit kanë gjetur formulën për t’i hapur rrugë blerjes së Kumbullës në qershor, pra pasi të përfundojë sezoni. Drejtuesit e kryesuesve të Serisë A kanë vendosur të transferojnë që në janar në Verona Federico Dimarcon, për të prenotuar afrimin e Kumbullës në verë.

Lojtari kuqezi, i datëlindjes 2000 ka bindur në këtë pjesë të parë të sezonit. Përtej moshës së re ka fituar vendin e titullarit dhe ka shfaqur personalitet në fushë. Ai është përshtatur në perfeksion në mbrojtjen me tre, modul që preferohet shumë nga Antonio Conte.

Pra, kuptohet që Interi ka parakaluar Napolin në garën për Kumbullën, ndërkohë që Rrahmani në ditët në vijim pritet të bëhet zyrtarisht futbollist të të kaltërve, të cilët do të lënë në Verona deri në fund të sezonit në formë huazimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat