Arteta zbulon si e bindi Xhakën të qëndrojë në Arsenal

Futboll

Arteta zbulon si e bindi Xhakën të qëndrojë në Arsenal

Më: 10 janar 2020 Në ora: 10:51
Mikel Arteta

Trajneri i ri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka bërë të ditur se ai kishte arritur ta bindë Granit Xhakën të mos largohet vetëm duke ia bërë të qartë se e kupton se si ndihet dhe duke i thënë se do ta mbështesë atë.

Mesfushori zviceran me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, kishte qenë shumë afër largimit nga Arsenali qysh në janar, shkaku i marrëdhënieve të tensionuara me tifozët e klubit londinez.

Xhaka ishte fishkëllyer nga një grup i madh i tifozëve në tribunat e stadiumin Emirates, kur po zëvendësohej gjatë barazimit 2:2 me Crystal Palacen në tetor. Xhaka u ishte përgjigjur atyre, duke i sharë përderisa largohej nga fusha.

Incidenti bëri që ai ta humbë  shiritin e kapitenit gjatë kohës sa trajner ishte Unai Emery, ndërsa mediat angleze kishin raportuar se mesfushori do të largohej nga klubi gjatë afatit kalimtar të janarit, veçanërisht pas ofertave të Hertha Berlinit për ta kthyer Xhakën në Bundesligë.

Megjithatë, 27-vjeçar është rigjallëruar në skuadrën e Arsenalit që nga ardhja e Artetas, duke arritur t’i bëjë disa paraqitje mbresëlënëse në mesfushë, përkrah Lucas Torreiras. Tani, trajneri Arteta ka zbuluar se si e arriti këtë ndryshim te Xhaka.

“Mesazhi im i parë për të ishte se unë dëshiroja ta kuptoja se si po ndihej ai dhe arsyen se pse ndihej në atë mënyrë”, sqaroi Arteta, kur u pyet se si arriti ta bindë Xhakën të qëndrojë në Arsenal.

“Unë dëshiroja që ai ta dëgjojë nga unë mendimin tim për të dhe i thashë se jam i gatshëm ta përkrah dhe se do ta shtyja edhe klubin ta bënte të njëjtën gjë. I thashë se do ta bëj këtë sepse mendoj se ai mund të jetë lojtar më të vërtetë i mirë për ne dhe se do ta shijonte futbollin teksa luan për mua”.

“Unë tentova ta bindë atë në këtë mënyrë. Mendova gjatë për këtë, por përgjigja e tij ishte menjëherë shumë pozitive dhe për këtë arsye mendoj se edhe ai e ndryshoi mendimin e tij”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat