Lajm i mirë për Man Unitedin, Maguire mund të kthehet qysh në fundjavë

Futboll

Lajm i mirë për Man Unitedin, Maguire mund të kthehet qysh në fundjavë

Më: 10 janar 2020 Në ora: 13:40
Harry Maguire

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, i ka gëzuar tifozët e klubit anglez me lajmin se Harry Maguire mund të kthehet më shpejt sesa që ishte pritur nga lëndimi i tij, qysh për ndeshjen e së shtunës kundër Norwichit në Old Trafford.

26-vjeçari Harry Maguire pësoi një lëndim në ndeshjen e fundjavës së kaluar kundër Wolves dhe mungoi në ndeshjen e së martës në derbin e Mançesterit në Carabao Cup.

Fillimisht ishte menduar se Maguire do të mungonte në ndeshjen kundër Norwichit, por ylli anglez e ka kaluar procesin shërues më mirë sesa që ishte pritur.

“Harry ka gjasa të kthehet për nesër. Ne do të shohim se si do të stërvitet ai”, ka thënë Solskjaer.

“Nuk ishte lëndim serioz, nuk e di se ku e morën atë lajm mediat. Gazetarët mund ta ketë ngatërruar me Harry Kane. Nuk është befasi që është kthyer kaq shpejt, ai është një luftëtar”.

Solskjaer më tutje s’pranoi të tregojë nëse kapiteni Ashley Young do të transferohet në Inter këtë muaj. 34-vjeçari thuhet se e refuzoi dje ofertën e klubit për rinovim kontrate, shkaku i interesimit të Interit.

“Ashley Young është lojtar i yni dhe kapiten i yni”, ka thënë Solskjaer. “Ne duhet të përballemi me këto spekulime dhe, nëse ka nevojë, unë dhe Ash do të diskutojmë”.

“Ne nuk kemi shumë lojtarë në dispozicion dhe të gatshëm. Për këtë arsye kemi nevojë për të gjithë lojtarët që i kemi. Ash ka qenë shumë i mirë për klubin. Le ta shohim ku jemi në shkurt”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat