Zbulohen arsyet pse Barcelona s’e shkarkon Valverden

Futboll

Zbulohen arsyet pse Barcelona s’e shkarkon Valverden

Më: 10 janar 2020 Në ora: 15:27
Traineri i Barcelonës me Presidentin

Disfata e Barcelonës kundër Atletico Madridit në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës të enjten e ka vendosur sërish në qendër të vëmendjes të ardhmen e Ernesto Valverdes. Megjithatë, presidenti Josep Maria Bartomeu ka vendosur ta përkrahë atë shkaku i disa arsyeve.

Fakti që skuadra e tij e shpërdoroi epërsinë që e kishte deri në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes ua ktheu tifozëve të Barcelonës kujtimet e humbjeve tronditëse kundër Romës dhe Liverpoolit.

Sapo përfundoi ndeshjes, RAC1 raportoi se vendimi për ta shkarkuar Valverden mund të merret në takimin e radhës të bordit drejtues të Barcelonës, të hënën.

Megjithatë, kjo gjë nuk do të ndodhë. Presidenti i klubit katalonas, Josep Maria Bartomeu është në anën e Valverdes dhe nuk do ta lejojë largimin e tij, të paktën jo tani.

E përditshmja spanjolle Marca shkruan se ka disa arsye të ndryshme se pse Bartomeu e ka marrë këtë vendim për të ardhmen e Valverdes.

Njëra prej tyre është se Barcelona ishte duke luajtur në mënyrë mbresëlënëse deri në 15 minutat e fundit të ndeshjes. Por, ata i shpërdoruan rastet që mund t’ua kishin siguruar fitoren.

Një tjetër arsye është se Valverde ende e ka përkrahjen e lojtarëve.

“Ai nuk është fajtori për atë që ndodhi”, tha Luis Suarez, menjëherë pas ndeshjes, për Valverden.

Kishte qenë pikërisht përkrahja nga lojtarët e mëdhenj të skuadrës arsyeja pse Valverde e kishte mbajtur postin e trajnerit edhe pas disfatës kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve dhe kundër Valencias në Kupën e Mbretit sezonin e kaluar, pasi që Bartomeu kishte qenë i gatshme ta linte atë të largohet.

Nëse Barcelona do ta shkarkonte Valveren tani nga posti i trajnerit, bordi drejtues s’do të kishte shumë opsione për t’i vlerësuar që do të mundnin ta merrnin postin menjëherë në gjysmë të sezonit.

Por, nëse presin deri në fund të sezonit, drejtuesit e Barcelonës do ta kenë mundësinë të negociojnë edhe me trajnerë si Ronald Koeman dhe Roberto Martinez.

Edhe pse skuadra s’është duke performuar në nivelin e vet më të mirë, Barcelona është ende në krye të La Ligës dhe ata vlerësojnë se nuk do të ishte e drejtë ta shkarkonin një trajner në këtë pozitë.

Pasi që zgjedhjet presidenciale në Barcelonë do të mbahen më 2021, Bartomeu e di se cilido vendim që e merr ai do të kritikohet ashpër nga kundërshtarët e tij.

Kështu që, Valverde do të mbetet edhe më tutje në krye të katalonasve. E ardhmja e tij në këtë post po bëhet gjithnjë e më e brishtë, por ai ende ka mjaft shumë merita në klub.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat