Iu hoq patenta 2 vite, por Rooney nuk ndreqet. Ja gafa me “bishën” e tij 260.000 euroshe

Futboll

Iu hoq patenta 2 vite, por Rooney nuk ndreqet. Ja gafa me “bishën” e tij 260.000 euroshe

Më: 11 janar 2020 Në ora: 06:57
Wayne Rooney

As “malli” për t'u rikthyer në timon për herë të parë, pas dy vitesh pezullim patente, për shkak të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur, nuk e ka penguar Wayne Rooney për të shkelur përsëri kodin rrugor në Angli.

Vërtet, në krahasim me atë natë të shtatorit 2017, kur u ndalua nga policia për shkak të përplasjes me 31-vjeçaren Laura Simpson, me makinën e saj, kjo që ka bërë tani është e papërfillshme. Asokohe rezultoi i pirë, me nivel të alkoolit në gjak pothuajse tri herë më tepër nga sa lejohet në Angli, ndaj iu hoq patenta. Në këtë rast shkelja është e tillë, që ndëshkohet me gjobë financiare.

Paparacët e “The Sun” e kanë fotografuar ish-kapitenin e “Tre Luanëve” duke hipur në “bishën” e tij të zezë, një “Land Rover Overfinch”, e cila kushton 260.000 euro. Automjeti luksoz ishte parkuar në rrugë me vijëzim të dyfishtë të verdhë (që tregon saktësisht ndalim qëndrimi dhe parkimi). Shkelja rrugore u “dokumentua” nga paparaci i tabloidit anglez, jo nga ndonjë oficer policie. Nëse ndodhte kjo e fundit, me siguri gjoba do të ishte e majme. 

Fotot e publikuara nga “The Sun” për lojtarin-trajner të Derby County, aktualisht, janë bërë në Wilmslow, jo shumë larg rezidencës së tij të re 23.5 milionë euroshe, në Cheshire. Rooney është me tuta gri, kapelë bejsbolli blu dhe atlete të bardha. Sulmuesi anglez po dilte nga një servis, ku riparohen telefonat celularë. Para dyqanit kishte parkuar makinën e tij luksoze, në një vend të ndaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat