Barcelona gjen trajnerin e ri për të ardhmen

Futboll

Barcelona gjen trajnerin e ri për të ardhmen

Më: 11 janar 2020 Në ora: 11:34
Barcelona gjen trajnerin e ri për të ardhmen

Aventurës së Ernesto Valverdes në stolin e Barcelonës i ka ardhur fundi. Është thuajse e sigurt që, kur të përfundojë ky sezon, nuk do të jetë më trajner i katalanasve, por pas disfatës së radhës në Superkupën e Spanjës, shkarkimi mund të afrohet.

Në fakt, lajmet në Spanjë janë kontradiktore, pasi “Marca” njofton se presidenti Bartomeu nuk ka ndërmend që ta largojë trajnerin dhe mendon se eliminimi nga Superkupa e Spanjës nuk është i mjaftueshëm për të marrë një vendim drastik në lidhje me trajnerin. Nga ana tjetër, një pjesë e drejtuesve kanë nisur takimet me Ksavin për të kuptuar gatishmërinë e tij. Misteri Bartomeu – Në këto momente te Barcelona ka një përplasje mendimesh mes presidentit Bartomeu dhe pjesës tjetër të bordit drejtues.

Numri një i klubit nuk ka ndërmend që ta shkarkojë trajnerin dhe mendon se ai nuk është fajtori i vetëm i humbjes kundër Atletikos së Madridit. Ai dëshiron që të ruajë linjën dhe traditën që Barcelona nuk shkarkon trajnerë, por në fakt i ka të gjithë kundër. Jo vetëm tifozët, por edhe disa nga drejtuesit. Bartomeu e vlerëson maksimalisht ecurinë e skuadrës në kampionat dhe ka besim se me kalimin e kohës do të përmirësohet.

Në fakt, pjesa tjetër mendon të kundërtën dhe kërkon ndryshim të menjëhershëm të trajnerit, pasi ai dhe grupi i lojtarëve nuk janë aspak të motivuar, pasi e dinë që rrugët e tyre do të ndahen në fund. Takim me Ksavin – Sipas “RAC-1”, drejtori sportiv, Erik Abidal, dhe administratori i klubit, Oskar Grau, ndodhen në Katar dhe kanë pasur një bisedë me legjendën Ksavi Hernandez, në mënyrë që të kuptojnë gatishmërinë e tij për të marrë drejtimin e klubit në këto momente.

Futbollistët dhe stafi që kishin udhëtuar në Arabinë Saudite, u kthyen ditën e djeshme në Barcelonë, por dy njerëzit më të besuar të presidentit Bartomeu vazhduan qëndrimin e tyre dhe iu drejtuan Katarit për të zhvilluar takimin. Pavarësisht nëse Ksavi do ta pranojë apo jo ofertën që i bën Barcelona, kjo lë të kuptohet se Ernesto Valverde do të largohet shumë shpejt. Eliminimi nga Superkupa e Spanjës ishte po aq i turpshëm sa eliminimi nga dy edicionet radhazi në Ligën e Kampioneve.

Barcelona nuk dëshiron që të përsëritë të njëjtin dështim edhe në Europë, prandaj drejtuesit po lëvizin që ta zgjidhin sa më mirë situatën e krijuar. Mbetet për t’u parë edhe vendimi i futbollistëve si Mesi, Suarez dhe Pike, të cilët janë shumë të rëndësishëm dhe fjala e tyre ka peshë të madhe në të ardhmen e trajnerit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat