Solskjaer s’përgjigjet për Brunon, por thotë se Unitedi ka para për të shpenzuar në janar

Futboll

Solskjaer s’përgjigjet për Brunon, por thotë se Unitedi ka para për të shpenzuar në janar

Më: 14 janar 2020 Në ora: 12:17
Trajneri Ole Gunnar Solskjaer

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer thotë se Manchester Unitedi ka “burime” për të shpenzuar gjatë afatit kalimtar të këtij muaji, mirëpo nuk pranoi t’i komentojë spekulimet për transferimin e mesfushorit të Sportingut, Bruno Fernandesin.

Djajtë e Kuq veçse kanë arritur marrëveshje me mesfushorin portugez të Sportingut, Bruno Fernandesin, për një transferim gjatë janarit. Portugezit i është ofruar kontratë pesëvjeçare në Old Trafford.

Megjithatë, negociatat me klubin portugez s’po shkojnë kaq lehtë dhe tani transferimi i shumëpërfolur i Brunon në Angli është vënë në dyshim nga e përditshmja angleze, DailyMail.

Sporting po i kërkon rreth 64 milionë funte për 25-vjeçarin, mirëpo Manchester Unitedi s’është i gatshëm të shpenzojë më shumë sesa 50 milionë funte dhe dhjetë milionë në bonuse. Por, negociatat mes dy klubeve janë duke vazhduar ende.

Solskjaer s’pranoi t’i komentojë këto lajme, mirëpo insistoi se Manchester Unitedi ka para për të shpenzuar këtë muaj.

“Për mua, gjëja më e rëndësishme është t’i përmirësojmë rezultatet, të performojmë mirë në fushën e lojës. Unë jam i përqendruar te këto gjëra”, ka thënë Solskjaer.

“Por, unë e di se ne i kemi burimet, e kam mbështetjen e klubit nëse duam të futemi në afatin kalimtar. Ne jemi ende lart, kështu që jemi në vend të mirë”.

Gjiganti anglez i bëri të ditura planet e veta për ta transferuar Fernandesin, pas lëndimeve të mesfushorëve Paul Pogba dhe Scott McTominay, përderisa edhe vetë portugezi thuhet se e dëshiron transferimin në Old Trafford.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat