Beqiri: Do ta kaloj këtë sëmundje dhe do të rikthehem sërish në fushë

Futboll

Beqiri: Do ta kaloj këtë sëmundje dhe do të rikthehem sërish në fushë

Më: 14 janar 2020 Në ora: 15:00
Arben Beqiri

Një ndër portierët më të mirë në Kosovë, Arben Beqiri është duke kaluar në një fazë shumë të vështirë të jetës.

Ai ditë më parë ka bërë të ditur se është diagnostikuar me tumor në lukth dhe ka nis luftën kundër kësaj sëmundje.

Beqiri në një intervistë ekskluzive për KosovaPress ka rrëfyer momente shumë të vështira të tij, duke filluar nga momenti kur atij i është bërë e ditur se vuan nga kjo sëmundje.

Ai u shpreh se fillimisht kishte disa probleme të vogla me stomak, mirëpo ishin doktorët nga Mitrovica të cilët kishin vërejtur se problemet e tij nuk ishin edhe aq të vogla saqë gardianin i shumë skuadrave kosovare kishte pretenduar fillimisht.

Beqiri: Fillimisht mendova se janë vetëm dhimbje të zakonshme

“Fillimisht i kam pasur disa shqetësime në stomak, por disa dyshime të vogla që kam menduar që janë momentale, pastaj shkova te doktori, u lajmërova dhe pas një vizite që e bëra, ai dyshoj që diçka nuk është në rregull me repartin e lukthit këtu po mendoj në Mitrovicë pastaj më dha udhëzimin me shku në Prishtinë, atje jam shtrirë në spital i kam bërë gjithë analizat, CT. Fillimisht menduan që është një far lloj ulçere, apo në gjuhën popullore që i themi ne, ithat në lukth, mirëpo në fillim nuk më kanë treguar saktë për shkak që unë me pas qetësi, mos të shqetësohem diçka, pastaj pasi që u vërtetua saktë në bazë të analizave që i kanë bë mjekët, atëherë ma kumtuan lajmin që kemi të bëjmë me një tumor. Ka ndodh në muajin nëntor”, tha fillimisht Beqiri

Gardiani nga Mitrovica gjithashtu tregon se fillimisht nuk ka besuar që është duke vuajtur nga një sëmundje e tillë, mirëpo pas bisedave të shumta me doktorët ishte i detyruar të pranonte një gjë të tillë.

Beqiri: Fillimisht nuk besova që po vuaja nga kjo sëmundje

“Fillimisht pas kumtimit të lajmit në ato momente normal që disi e ndjen veten, nuk beson dhe në ato momente normal që e kam ndjerë veten pak të shqetësuar sepse edhe nuk kisha informata më të sakta rreth sëmundjes, sa është e vështirë, sa është e madhe por pas bisedimit që e kam bërë me mjekun atëherë e kuptuam që kemi të bëjmë me një lloj tumori që është i lehtë, nuk është prej atyre të rëndëve dhe është shërues”, vazhdoi Beqiri.

Pasi që vet Beqiri kishte deklaruar se vuan nga kjo sëmundje shumë futbollistë kishin filluar iniciativa të ndryshme për ti ndalë në ndihmë gardianit nga Mitrovica.

Madje edhe bordi i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës, sot ka mbajtur konferencë për të ndihmuar atë.

Gjatë kësaj konference vet kryetari i kësaj shoqate ka bërë të ditur se të hollat për të ndihmuar Arbenin do të mblidhen brenda tre ditëve dhe të gjitha këto do të grumbullohen nga kapitenët e skuadrave.

Ndërsa vet Beqiri u shpreh se menjëherë pas publikimit të lajmit, se ka pasur një interesim të madh nga shumë sportistë, qytetar, klube për ta ndihmuar atë.

Beqiri: Kam pranuar me mijëra mesazhe, e telefonata

“Po të them të drejtën prej momentin që është publikuar lajmi në rrjetet sociale e kam ndjerë veten shumë mirë, pasi që ka qenë një interesim i jashtëzakonshëm prej të gjithëve, si prej klubeve, si prej futbollistëve, si qytetarëve të tjerë. Kam pasur me mijëra mijëra mesazhe telefonata dhe vërtetë e kam ndjerë veten shumë mirë në këto momente të vështira të jetë. E kam ndjerë një far lehtësimi gjë që e kam pritur shumë mirë.

“Eksperti i penalltive”, siç njihet në vend Beqiri, në fund deklaroi se ka një besim të madh që pas përfundimit të terapisë e cila pritet të zgjasë rreth 3 muaj do të rikthehet në fushën e gjelbër për ti ndihmuar skuadrës së tij.

Beqiri: Do të rikthehem sërish në fushën e gjelbër

“Gjasat janë të mira të them, kështu që së pari ta kaloj këtë moment të kësaj sëmundje dhe besoj që shumë shpejt do të kthehem. Pasi të përfundoj ky cikël i terapive besoj që nuk ka nevojë që pas këtij cikli të bëhet ndonjë ndërhyrje kirurgjike dhe besoj që pas përfundimit të terapive menjëherë do të filloj të stërvitem dhe të jem në ekip sërish”, përfundoi Beqiri.

Kujtojmë që Beqiri së fundmi ishte pjesë e klubit nga Mitrovica Trepça 89 ndërsa më parë ka mbrojtur ngjyrat edhe të klubeve si Llapi e Besa nga Peja, me këtë të fundit para tri vjetësh Beqiri fitoi edhe Kupën e Kosovës, madje duke qenë heroi i ndeshjes, pasi priti disa penallti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat