Ademi: Ky është një projekt mjaft voluminoz

Futboll

Ademi: Ky është një projekt mjaft voluminoz

Më: 19 janar 2020 Në ora: 11:59
Ademi: Ky është një projekt mjaft voluminoz

Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur sot projektin e ri në kuadër të programit “Elite Youth Development Programme U15” në mbështetje të UEFA-s, e që për qëllim ka nxjerrjen në pah dhe  zhvillimin e talenteve për ekipet kombëtare. Në hapje të këtij projekti në kompleksin e fushave të futbollit ‘Prince” në kryeqytet kanë marrë pjesë presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, të cilët e vlerësuan si shumë të rëndësishëm punën dhe zhvillimin e grupmoshave të reja për futbollin e Kosovës.

“Po fillojmë një fazë të re të edukimit tuaj, e cila do të jetë shumë e rëndësishme për ne, po normalisht edhe për ju. Sigurisht se edhe ju i përcillni me entuziazëm rezultatet e ekipeve tona kombëtare të të gjitha kategorive dhe ne me të drejtë presim që edhe dikush nga ju së shpejti të jetë pjesë e ekipeve që po na bëjnë krenarë. Ky është një projekt mjaft voluminoz dhe i shtrirë në tërë territorin e shtetit tonë, ku për qëllim ka nxjerrjen në pah të talenteve dhe yjeve të së nesërmes.

Dua t’ju rikujtoj se pikërisht nga përzgjedhjet e tilla në kampet e kaluara kanë dalë edhe shumë emra të njohur që sot luajnë në Kombëtaren tonë, prandaj vazhdoni të punoni shumë, bëhuni djem të mirë, nxënës të mirë dhe futbollistë të mirë dhe pa dyshim suksesi nuk do të mungojë”, ka theksuar Ademi, duke u uruar futbollistëve të rinj suksese dhe realizim të ëndrrës së tyre.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu ka thënë se talentet e ditëve të sotme janë të privilegjuar, ngase kanë mundësi të punojnë me kushte të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre nga shumë shtete të Evropës, teksa u shpreh i bindur se ky projekt do të japë rezultate në të ardhmen.

“KE i FFK-së në krye me presidentin Ademi i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të grupmoshave të reja dhe për këtë projekt është punuar shumë, në mënyrë që ta rrisim nivelin e organizimit dhe t’ju japim mundësi talenteve që të dalin në pah. Kemi fat që në mesin tonë është eksperti gjerman, Michael Nees, i cili ka punuar në shumë shtete të botës, si dhe ish-përzgjedhësin e Kombëtares, Edmond Rugova, e të cilët do të jenë përgjegjës të këtij projekti.

Prandaj, uroj të punoni me përkushtim dhe në të ardhmen të jeni futbollistë të suksesshëm. Gjithsesi, duhet ta dini se parasegjithash rëndësi ka që të jeni djem të mirë, të luani ‘fair-play’ dhe ta ndihmoni njëri-tjetrin”, ka thënë Salihu.
Edhe drejtori teknik Michael Nees para futbollistëve të rinj ka folur për rëndësinë e këtij projekti si dhe për mënyrën e vlerësimit dhe zhvillimit të talenteve, teksa ka kërkuar nga secili prej lojtarëve që të kënaqen duke luajtur dhe të japin më të mirën e tyre duke bashkëpunuar me shokun e ekipit.

Mjaft i entuziazmuar është shprehur edhe përgjegjësi i këtij projekti, Edmond Rugova. “E di që programe të tilla kanë ekzistuar edhe më parë dhe jemi angazhuar të gjithë.

Por, tani kemi të bëjmë me një projekt të një niveli tjetër, i cili do të jetë shumë intensiv dhe do të jetë në hap me të gjitha shtetet e zhvilluara. Falënderoj presidentin Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu që ishin prezentë këtu, sepse ka shumë rëndësi për këta djelmosha që janë pjesë e këtij projekti për ta kuptuar se ata vlerësohen si e ardhmja e futbollit të Kosovës.

Prandaj, jam shumë i entuziazmuar që kemi rini kaq të shëndoshë e talente të shumta në futboll, prandaj shoh benifitet e këtij investimi në të rinjtë tanë në të ardhmen e afërt. Dua ta përmend këtu edhe drejtorin teknik Michael Nees që është angazhuar jashtëzakonisht shumë në këtë projekt, por edhe trajnerët nga të gjitha regjionet për përkushtimin e tyre për të qenë pjesë e këtij projekti”, ka thënë Rugova.

Në fazën e parë të këtij projekti në kryeqytet kanë marrë pjesë mbi 100 futbollistë nga të gjitha klubet dhe shkollat e futbollit të Regjionit të Prishtinës, derisa nesër puna do të vazhdojë në Regjionin e Ferizajt. Pas fazës së parë nëpër regjione më pas do të mbahen edhe grumbullime treditore gjashtë herë në vit, ku trajnerët do të kenë mundësi t’i testojnë lojtarët më të mirë të përzgjedhur dhe do të përcjellin në vazhdimësi evoluimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat