Bayerni e ka gati sulmin për titullin

Futboll

Bayerni e ka gati sulmin për titullin

Më: 19 janar 2020 Në ora: 14:56
Bayerni e ka gati sulmin për titullin

Bayerni luan sot një nga ndeshjet më të rëndësishme të fazës së dytë. Sfida ndaj Hertës së Berlinit në kryeqytet do të jetë një provë force për skuadrën e Flikut, e cila kërkon të përfitojë nga ndalesa e Gladbahut. Lajmet e mira nga infermieria u konfirmuan edhe nga trajneri Flik në konferencën për shtyp ditën e premte.

“Levandovski dhe Gnabri do të jenë në Berlin. Me shumë mundësi nga minuta e parë. Të dy janë lojtarë shumë të rëndësishëm për skuadrën tonë. Shpresoj që në fazën e dytë të kemi sa më pak dëmtime”, tha Flik. Rreshtimi i Bajernit pritet të mos ndryshojë shumë nga ndeshja e fundit me Volfsburgun, edhe pse Flik duhet t’i bëjë llogaritë për Zhoshua Kimishin në mesin e fushës. 23-vjeçari ka plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk do të jetë në Berlin. Përveç Kimish sot nuk do të luajnë Koman, Hernandez, Martinez dhe Zyle. Ky i fundit e ka humbur sezonin pas një operacioni në gju. Ndërkohë, statistikat në këtë duel flasin qartë për skuadrën kampione të Gjermanisë.

Nga 69 duele të luajtura në Bundesligë, 39 janë fituar nga Bajerni, 10 nga Herta dhe 20 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Jurgen Klinsman, një ish-trajner i Bajernit, kërkon t’i mundë kampionët. “Do të jetë një spektakël i garantuar për tifozët. Shpresoj ta fitojmë ndeshjen dhe të mos ndalemi në objektivat që kemi, Europën. Ndaj bavarezëve do të na duhet të bëjmë një ndeshje perfekte, pasi çdo gabim do të na kushtonte shumë ndaj një skuadre me lojtarë cilësorë, siç është Bajerni”. Ndërkohë, sfida i është besuar arbitrit nga Hamburgu, Tobias Shtiler, i cili mban edhe stemën e FIFA-as.

Gjuetia ndaj Lajpcigut dhe mbrojtja e titullit do të nisë në kryeqytet për skuadrën e Flikut. Trajneri provizor i Bajernit pret edhe një përforcim në repartin e mbrojtjes për të qenë protagonist në këtë fazë të dytë të Bundesligës që me shumë mundësi do të jetë një nga më të fortat në këto vitet e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat