Gjeraj: Besa ka traditë, e ka vendin në elitë!

Futboll

Gjeraj: Besa ka traditë, e ka vendin në elitë!

Nga: Kemajl Goca Më: 21 janar 2020 Në ora: 19:46
Gjeraj: Besa ka traditë, e ka vendin në elitë!

Stinori pranveror pritet të jetë i nxehtë në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, pasi që më shumë se gjysma e ligës luftojnë për dy vendet e para, që i shpie direkt në Superligë. Asnjë ekip nuk e ka luksin për faktin se diferenca me pikë është shumë e ngushtë, kur dihet se lideri nuk ikë më shumë se dy pikë nga pozita e pestë.

Besa e Pejës është kampione vjeshtore me 28 pikë dhe pretendon që të rikthehet në elitë!  Në pozitën e dytë është Arbëria e Dobrajës me 27 pikë, pasojnë Liria, Malisheva, Istogu me nga 26 pikë, Onix 23, Drenasi 23, 2 Korriku 23, Dardana 23, KEK-u 21, Trepça 19 pikë etj. Sipas kësaj renditje, skuadrat nga pozita e 11-të kanë gjasat që të luftojnë për vend të parë dhe të dytë, që do të thotë pritet një pranverë shumë e nxehtë mes tyre.

Futbollisti me përvojë i Besës, Robert Gjeraj, tha se ka kohë që kanë filluar përgatitjet për pjesën e dytë të kampionatit dhe me optimizëm e presin, me qëllim që të rikthehen në shoqërinë e më të mirëve aty ku e ka vendin ky kolektiv me renome. “Mendoj që përveç kushteve atmosferike që është ftoftë, këto tjera janë në rregull sepse kemi fusha sintetike dhe çdo gjë është e mirë”, tha Gjeraj për gazetën kombëtare “Bota sot”.  As në muajin janar nuk ka reshje të mëdha të borës, kjo iu krijon kushte më të mira futbollistëve për stërvitje.  “Në krahasim me vitet tjera koha është shumë e mirë dhe po kemi shumë mundësi për krejt llojet e stërvitjeve”, tha ai. Pejanët stërviten në fushën me bari sintetik në Brestovik dhe kushte janë shumë të mira. “Stërvisim në një fushë sintetike afër qytetit në Brestovik.

Mungesa e borës është shumë e mirë, shpresoj që derisa jemi këtu të mos bie borë sepse na mundëson t’i arrijmë ato plane që i kemi”, nënvizoi mbrojtës-mesfushori. Si e sheh pranverën, shumë të nxehtë? “E shoh tepër të nxehtë sepse edhe nga liga e parë bien 4 ekipe, kështu që lufta do të jetë në dy frontet për mbijetesë edhe për inkuadrim në Superligë.

Besoj që do të jetë shumë interesant ndoshta edhe me interesant se Superliga”, shpreh bindjen Gjeraj. Nuk ka qetësi për asnjë skuadër sepse çdo gabim mund t’i kushtojë edhe në humbjen e hapit për dy vendet e para. “Besoj që Besa dhe Liria janë dy skuadrat kryesore për Superligë, por me organizimin që e shoh mendoj që edhe Arbëria, Istogu dhe Malisheva do të jenë në luftë së bashku me neve”, ka thënë futbollisti. Besa është kampione vjeshtore, a mendoni se keni një përparësi ndaj skuadrave tjera?

“Unë mendoj se kemi përparësi, se organizimi i klubit është shumë i mirë, çdo gjë është super, plus kësaj jemi të gjithë lojtar më shumë bagazh në futbollin e Kosovës dhe e kemi përvojën në anën tonë, e kjo na bën me mendu që do të futemi në Superligë”, tha Gjeraj.

Më tej tregon se çfarë i duhet Besës për pjesën e dytë të kampionatit: “Mendoj se duhet vetëm mos t’i nënçmojmë kundërshtarët dhe sa më herët të mbarojmë punë. Mendojmë për Superligë e mos të na ndodhë si vitin e kaluar në fund”.

Çka e veçon Besën nga të tjerët dhe a jeni në formë të mirë, me të fortë se në vjeshtë. “Besën e veçon tradita që e ka, lojtarët që i ka në mesin e vet, ku secili në çdo moment mund ta vendos lojën, jemi më të fortë se vitin e kaluar sepse kemi marr përforcime dhe jemi shumë më të fortë”, përfundoi Gjeraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat