Solskjaer e ka besimin e drejtuesve të Man Unitedit, s’do të shkarkohet

Futboll

Solskjaer e ka besimin e drejtuesve të Man Unitedit, s’do të shkarkohet

Më: 23 janar 2020 Në ora: 13:33
Solskjaer

Manchester Unitedi nuk planifikon ta shkarkojë Ole Gunnar Solskjaerin nga posti i trajnerit, përkundër që norvegjezi ka arritur ta thyejë rekordin e klubit për më së paku pikë të grumbulluara pas 24 xhirove në Premierligë në 30 vjetët e fundit.

Hierarkia e klubit nuk është as duke e shqyrtuar mundësinë që të bëjë ndryshim në karrigen e trajnerit, as pas disfatës së katërt të Manchester Unitedit në 2020-tën, raporton Sky Sports.

Bordi dhe lojtarët e klubit mbeten plotësisht në përkrahje të Solskjaerit dhe tashmë drejtuesit kanë filluar të flasin për rindërtimin e skuadrës – projekt ky për të cilin janë të vetëdijshëm se s’mund të kompletohet brenda natës.

Manchester Unitedi radhitet në pozitën e pestë në tabelën e Premierligës, me 30 pikë më pak sesa lideri Liverpooli, mirëpo klubi është plotësisht në anën e Solskjaerit.

Pasi e pësoi disfatën e tij të 12-të si trajner permanent i Manchester Unitedit, norvegjezi mori përgjegjësi për rezultatin dhe e konfirmoi se klubi dëshiron ta përforcojë skuadrën me lojtarë të rinj, në mënyrë që të hiqet presioni nga lojtarët aktual të skuadrës që janë lodhur.

Që kur 46-vjeçari u emërua trajner permanent, në mars të vitit 2019, në vend në Jose Mourinhos të shkarkuar, ai i ka fituar 19 ndeshje, i ka barazuar 11 dhe i ka humbur 15 në të gjitha garat.

Manchester Unitedi gjithashtu i ka humbur 18 pikë në 12 ndeshjet e fundit dhe i ka 11 pikë më pak sesa që i pati pas 24 ndeshjeve të zhvilluara në Premierligë sezonin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat