Ronaldo i vërtetë është kthyer: A mund ta ndalë atë ndokush tani? - Bota Sot
Ronaldo i vërtetë është kthyer: A mund ta ndalë atë ndokush tani?

Futboll

Ronaldo i vërtetë është kthyer: A mund ta ndalë atë ndokush tani?

Më: 24 janar 2020 Në ora: 10:50
Cristiano Ronaldo

Sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka shënuar në shtatë ndeshje radhazi të Serisë A dhe 34-vjeçari duket insistues në qëllimin për t’i fituar të gjitha trofetë e mundshme këtë vit. Për këtë arsye, Goal.com e ka publikuar një artikull për “rikthimin e Ronaldos së vërtetë”.

Maurizio Sarri nuk u ka kushtuar kurrë shumë rëndësi çmimeve individuale. Për këtë arsye, ishte e çuditshme ta dëgjoje trajnerin e Juventusit duke e shprehur pakënaqësinë e tij që Lionel Messi e kishte mposhtur Cristiano Ronaldon në garën për Topin e gjashtë të Artë në dhjetor të vitit 2019, shkruan Goal, transmeton Gazeta Express.

“Është me të vërtetë bezdisëse të mendosh se dikush ka fituar më shumë sesa Cristiano”, kishte thënë Sarri.

Megjithatë, trajneri i bardhezinjve do të duhej të ishte i kënaqur që Messi e kaloi Ronaldon në radhitjet për Topin e Artë. Portugezi nuk i merr humbjet mirë asnjëherë, gjë që vërehet nga mungesa e tij në secilën ceremoni ku s’i jepet çmimi kryesor.

Megjithatë, Ronaldo nuk është kurrë më i rrezikshëm sesa kur është në dhimbje. Kur Topi i Artë iu dha Messit, në Itali filloi të diskutohet mundësia që 34-vjeçari Ronaldo tashmë po i përjetonte efektet e procesit të plakjes.

Ai po vuante nga një lëndim në gju dhe, rrjedhimisht, s’kishte shënuar gol – vetëm pesë në Serie A. Megjithatë, që nga atëherë, Ronaldo ka shënuar në shtatë ndeshje radhazi, duke i regjistruar gjithsej 11 gola. Golashënuesi më i mirë në histori të Real Madridit kontribuoi me gol edhe në fitoren e mesjavës kundër Romës në çerekfinale të Kupës së Italisë.

Gazzetta dello Sport e ka lajmëruar kthimin e “Ronaldos së vërtetë” dhe e ka shtruar pyetjen se a është fituesi në fuqi i Kampionatit Evropian me Portugalisë sulmuesi më i mirë i të gjitha kohëve në Serie A.

Ky është një ndryshim i madh brenda dy muajve. Portugezi ishte kritikuar ashpër nga Fabio Capello për reagimin e tij me zemërim ndaj vendimit të Sarrit për ta zëvendësuar gjatë ndeshjes kundër Milanit.

Përderisa kthimi i Ronaldos në formë ishte i parashikueshëm – ai ka qenë duke i heshtur kritikët gjatë gjithë karrierës së tij – Sarri e ka menaxhuar shumë mirë një situatë që mund të kishte rezultuar shumë e shëmtuar.

Në vend se ta kritikonte Ronaldon për reagimin e tij në ndeshjen kundër Milanit, Sarri tha se Juventusi i ka borxh të madh Ronaldos pasi që ai kishte luajtur për një kohë të gjatë duke e duruar dhimbjen në gju.

Edhe tani, Sarri e nënvlerëson qëllimshëm rolin e rigjallërimit të Ronaldon, duke thënë se e gjitha e ka bazën te profesionalizmi dhe kërkimi i vazhdueshëm për perfeksion i futbollistit.

“Unë nuk mund të marr merita për formën aktuale të Ronaldon. Ju mund t’i jepni merita vetëm nënës së tij që e krijoi një specie të tillë”, insistoi italiani.

Natyrisht, Ronaldo është përgjegjës për fizikun e tij mbresëlënës dhe për sukseset e vazhdueshme në karrierë, pasi që të dyja janë rezultat i urisë së tij të pangopshme për suksese, shkruan Goal, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, nuk ka dyshim se ai është duke përfituar edhe nga të luajturit nën drejtimin e Sarrit, i cili e kupton në mënyrë të përsosur se epërsitë e lavdërimit të Ronaldon i mposhtin mangësitë.

“Ne e kemi një kampion i cili nganjëherë ta krijon një problem, por i zgjidh 100 prej tyre. Pjesa tjetër e skuadrës duhet të sillet rreth tij”, ka thënë Sarri.

Sarri është duke tentuar ta ndërtojë skuadrën e tij përreth Ronaldos, një skuadër që mund ta nxjerrë më të mirën nga superylli portugez.

Shenjat e para të kësaj skuadre janë inkurajuese. Përderisa po i afrohemi fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve – kur Ronaldo gjithmonë gjallërohet – ai është në formën e tij më të mirë në karrierën me Juventusin.

Përderisa Juventusi ka bërë punë të mirë për ta marrë kreun e tabelës së Serisë A, suksesi në Evropë ende duket përtej kësaj skuadre për momentin.

Trajneri legjendar Arrigo Sacchi e theksoi së fundi se Juventusi nuk e ka të njëjtën fuqi të yjeve që kishte shkëlqyer në skuadrën e Real Madridit që i fitoi tre tituj radhazi të Ligës së Kampionëve e as energjisë e pashtershme të Liverpoolit.

“Sa shumë do të përfitonte Juventusi nga presingu i skuadrës së Kloppit, veçanërisht Ronaldo?”, pyeti ish-trajneri i Milanit.

Juventusi duhet të bëjë ende punë për t’u përmirësuar, përkundër që dy golat e Ronaldos kundër Parmës ia mundësuan “Zonjës së Vjetër” të kalojë katër pikë para Interit në krye të tabelës së Serisë A.

Ashtu siç shkroi Ivan Zazzaroni në Corriere dello Sport të hënën: “Normalja, në futbollin tonë, do të thotë se Juventusi ka fituar falë Ronaldos”.

Ronaldo e do medaljen e artë të gjashtë të Ligës së Kampionëve dhe Topin e gjashtë të Artë. I takon Interit, Messit dhe të gjithë të tjerëve të tentojnë ta ndalin atë. Por, me këtë formë, s’do ta kenë të lehtë. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat