Përfaqësuesit e Romës në Spanjë, e duan Januzajn sa më shpejt - Bota Sot
Përfaqësuesit e Romës në Spanjë, e duan Januzajn sa më shpejt

Futboll

Përfaqësuesit e Romës në Spanjë, e duan Januzajn sa më shpejt

Më: 24 janar 2020 Në ora: 11:11
Adnan Januzaj

Përfaqësuesit e Romës raportohet se kanë udhëtuar në Spanjë për ta nisur fazën finale të negociatave me Real Sociedadin për transferimin e anësorit Adnan Januzaj në formë huazimi, me opsionin për ta blerë në fund.

Sipas disa mediumeve të ndryshme në Tiali – Sportitalia, Sky Sports Italia, Calcio Mercato – një delegacion i zyrtarëve të klubit verdhekuq ndodhen në Spanjë sot për negociatat me Real Sociedadin.

Futbollisti vlerësohet 12 deri në 15 milionë euro dhe dy palët duhet të vendosin sot se çfarë përqindje e kësaj shume do të paguhet për huazimin dhe pastaj çfarë përqindje do të lihet për opsionin për blerje.

Roma është në kërkim të Januzajt, pasi që i duhet një zëvendësues për Nicolo Zaniolon, i cili do të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit, pasi që i ka këputur ligamentet e gjurit dhe e ka dëmtuar meniskusin.

Januzaj do t’i mbushë 25 vjeç këtë muaj dhe ai ka qenë i përfolur edhe për një transferim të mundshëm në Milan. Megjithatë, kuqezinjtë mund ta transferojnë atë vetëm nëse e shesin Suson fillimisht.

Kontrata e belgut me origjinë nga Kosova, Januajt, me Real Sociedad do të skadojë në qershor të vitit 2022 dhe ai ka qenë pjesë e klubit spanjoll që nga vera e vitit 2017, kur u transferua nga Manchester Unitedi për 8.5 milionë euro.

Deri më tani këtë sezon, Januzaj ka kontribuar me katër gola dhe katër asiste në 13 paraqitjet e tij nëpër ndeshje të La Ligës dhe Kupës së Mbretit. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat