Pioli, i lumtur përgjysmë: Milan fitues, por jo i bukur

Futboll

Pioli, i lumtur përgjysmë: Milan fitues, por jo i bukur

Më: 25 janar 2020 Në ora: 10:41
Stefano Pioli

Suksesi i tretë radhazi për Milanin, i cili rikthehet në zonën e “Europa League”. Brescia u përkul nga goli i tretë në dy ndeshje i Ante Rebic, i cili zbriti në fushë në pjesën e dytë të ndeshjes, në vend të Rafael Leão. I intervistuar nga “Sky Sport”, Stefano Pioli tregoi kënaqësinë e tij për tri pikët e marra, por nuk ngurroi t’i jepte meritat e duhura kundërshtarit: “Milani fitoi, por nuk ishte i bukur. Sidoqoftë, tani kemi një stabilitet të mirë, e dimë se si duhet të sillemi në lojë. Patjetër, duhet të vazhdojmë të përmirësohemi. Rezultatet e fundit na kënaqin, por niveli teknik dhe taktik duhet të jetë më i mirë. Ne jemi një ekip më ndryshe se në fillim, kemi dëshirën për t’u përballur edhe me vuajtjet në momente të vështira. Brescia na vuri shumë në vështirësi, krijoi disa raste. Teknikisht kemi bërë diçka të gabuar”.

Ibrahimovic nuk shënoi, por prania e tij ishte akoma vendimtare për rezultatin. Trajneri kuqezi shton për këtë: “Ibra është sigurisht një vlerë e shtuar për egon dhe personalitetin që ka në fushë. Ai na ndihmoi të reagojmë dhe shokët e skuadrës ishin gati për t’iu përgjigjur”. Paquetá po kalon një situatë të komplikuar në nivelin personal. Pioli mundohet të hedhë disi dritë mbi atë që braziliani po përjeton në Milano: “Nëse ka largime lojtarësh, me siguri do të ketë edhe ardhje. Menaxherët janë duke punuar në këtë drejtim. Unë pres zhvillimet dhe të premten e ardhshme do të nxjerrim përfundime. Paquetá po kalon një moment të veçantë. Unë do të preferoja ta merrja me vete në Brescia, por m’u tha se nuk ishte i qetë, prandaj vendosa të mos e grumbulloja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat