Sermaxhaj: Të gjithë e kanë të qartë synimin e Dritës!

Futboll

Sermaxhaj: Të gjithë e kanë të qartë synimin e Dritës!

Nga: Kemajl Goca Më: 26 janar 2020 Në ora: 18:28
Sermaxhaj

Garat interesante e me rivalitet po zhvillohen edhe te kategoritë e reja, siç është Liga e Parë e Kosovës U-19 në futboll, ku gjysma e ligës lufton për vend të parë!  Kampion vjeshtor është Vushtrria me 26 pikë, pasojnë Drita me 25, Gjakova 24, 'Roni 19' 22, 'A&N' 21, Rilindja 21, Dinamo 20, Fushë Kosova 19 me pikë etj. Të gjitha këto skuadra pretendojnë kreun e renditjes dhe asgjë nuk do të dihet deri në fund të kampionatit.

Kryetrajneri i Dritës U-19, Genc Sermaxhaj, është optimist, se me punën që po bëhet në kolektivin e tij, me lojtarët që ka, do të arrijnë qëllimin, që të ngritën në Superligë.

 Ai tha se përgatitjet po shkojnë shumë mirë, fatmirësisht edhe koha e mirë që po mbretëron në muajin janar ia mundëson që ecuria e stërvitjeve të shkojë sipas planit.

Image

“Kemi filluar përgatitjet për gjysmën e sezonit pranveror dhe jam i kënaqur me punën që po e bëjnë futbollistët e mi.

Fatmirësisht të gjithë lojtarët i kemi në formë të mirë fizike ngase të gjithë e kanë zbatuar planin të cilin e kanë pasur pas përfundimit të sezonit vjeshtor. Tani puna është më e lehtë dhe më shumë do të përqendrohemi në aspektin taktik dhe mënyrën e lojës tonë”, tha Sermaxhaj për gazetën kombëtare “Bota sot”. Sermaxhaj shprehet se synimet i kanë të qarta por në anën tjetër e ka parasysh edhe konkurrencën e fortë që ka në luftë për kreun e tabelës. “Të gjithë e kemi të qartë synimin tonë dhe ai është inkuadrimi në Superligë pas një kohe të gjatë, por duke parë rrjedhën se si kaluam gjatë ndeshjeve kampionale, apetitet tona janë shtuar edhe më shumë sepse kemi treguar karakter dhe po ashtu kemi luajtur lojëra fantastike. Po përpiqem të bëj më shumë në përvetësimin e lojës sonë, dhe pse mos të dalim të parët. Ne mundemi të bëjmë shumë dhe do të përpiqemi që bashkë me lojtarët të realizojmë këtë qëllim.

Për këtë duhet të shtojmë me shumë seriozitetin dhe punën, por unë besoj tek lojtarët e mi se ata në fund do të shpërblehen me vendin e parë sepse ata janë më të mirët”, theksoi ai.  Kryetrajneri i skuadrës nga Gjilani premton punë dhe rezultate sa më të mira:

Image

“Edhe ekipet tjera kanë luajtur mirë. Është parë një punë e mirë edhe e trajnerëve tjerë. Po vazhduam kështu të gjithë së bashku, do të bëjmë shumë për futbollin dhe futbollistët tanë. Premtoj punë maksimale me këta djem, po përpiqem t’i mësoj lojën e bukur të futbollit.

Dua që ata ta shijojnë lojën dhe të kënaqen me të. Përmes saj ata do ta duan edhe më shumë dhe do të mësojnë më shumë”. Drita U-19 është edhe një bazë e mirë edhe për ekipin seniorë, që në një të ardhme të furnizohet me lojtarë. “Momentalisht dy lojtar nga U-19, po përgatiten me ekipin e parë, ne kemi edhe disa të tjerë që shumë shpejt do të jenë aty. Fatmirësisht bashkëpunimi me ekipin e parë është shumë i mirë dhe profesional, madje ne disa herë kemi dërguar lojtarë që të adaptohen dhe të njoftohen me futbollistët e ekipit të parë. Kjo është shumë e mirë.

Shpresoj që të vazhdojmë me këtë qasje, me punën dhe disiplinën që lojtarët po tregojnë, dhe besoj se do ta realizojmë synimin që ia kemi vënë vetes”, përfundoi Sermaxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat