Lippi zbulon të ardhmen si trajner, iu jep zemër rivalëve të Juventusit për titull

Futboll

Lippi zbulon të ardhmen si trajner, iu jep zemër rivalëve të Juventusit për titull

Më: 27 janar 2020 Në ora: 16:07
Marcello Lippi

“Mesazhi im për Inter dhe Lazio është se nuk duhet të heqin dorë. Ende ekziston mundësia e titullit, ndaj ta vazhdojnë luftën për këtë qëllim të rëndësishëm”. Ish-trajneri i Juventusit, Marcello Lippi, është i bindur që, për “Scudetto”, mund të ketë ende rivalitet trepalësh, madje edhe më interesant, pas humbjes së djeshme të kampionëve italianë kundër Napolit. “Juve, për mendimin tim, nuk kishin qasjen e duhur mendore, - shpjegon ish-trajneri italian, kampion botëror në “Gjermania 2006” për mikrofonat e “La Politica nel Pallone”. - Ndoshta kjo ndodhi se pa Interin dhe Lazio që barazuan. Bardhezinjtë kanë menduar se, duke marrë parasysh momentin jo shumë të ndritshëm të Napolit, do ta zgjidhnin lojën me kampionët e tyre. Në vend të kësaj, Napoli ishte shumë i përqendruar dhe luajti ndeshje perfekte”.

Duke folur për Napolin e rilindur në këtë ndeshje, Lippi beson se Gattuso ka pasur një ndikim të madh: "Ai arriti në një moment të veçantë në “San Paolo”, e gjeti veten duke trajtuar defektet e rëndësishme dhe një moment zhgënjimi të përkohshëm, i cili për fat të mirë u rikuperua. Nga një këndvështrim temperamenti, ai është në gjendje të japë shumë dhe do ta ngrejë këtë ekip, duke rikuperuar lojtarët psikologjikisht dhe marrëdhëniet me klubin e tifozët”.

Bardhezinjtë janë akoma favoritët e mëdhenj për titullin, edhe pse më pak cinikë se në kohën e Allegrit. Sidoqoftë, po fitojnë. Lippi ka analizën e tij: “Ata që e ndjekin duhet të shqetësohen, sepse Juventusi, pavarësisht se ka dhënë 60-70 për qind deri më tani, është i pari në kampionat, ka kaluar pa problem fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve dhe gjendet në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Është një ekip që do të përmirësohet më tej dhe do të ketë ekuilibër, përveç ndonjë rrëshqitjeje si mbrëmë. Dëshira për të shkëlqyer dhe mbizotëruar është në ADN-në e tij. Nëse në mars do ta ketë në dispozicion të gjithë grupin, mund të fitojë edhe Ligën e Kampionëve”. 

Pastaj, Lippi u ndal edhe tek e ardhmja e tij: “Me siguri nuk do të trajnoj më një klub. Që kur u ktheva nga Kina, kam pasur dy, ose tri propozime, që nuk i kam konsideruar. Nëse për disa muaj dua të kthehem në rrugën e duhur, mund të stërvis ndonjë ekip kombëtar. Kjo lloj detyre më argëton ende në fushë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat