Partizani konfirmon forcën ndaj Laçit

Futboll

Partizani konfirmon forcën ndaj Laçit

Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 16:17
Partizani konfirmon forcën ndaj Laçit

Kukësi ishte i pafat në transfertën ndaj Bylisit në Ballsh, pasi “flirtoi” me fitoren deri në minutën e 92-të, ku një pakujdesi e mbrojtjes u shfrytëzua maksimalisht nga sulmuesi Mozzone, që mposhti Xhikën dhe u hoqi dy pikë verilindorëve.

Pritej të ishte një nga sfidat më të luftuara të javës dhe ashtu rezultoi përballja mes Bylisit dhe Kukësit në “Adush Muça”, aty ku miqtë kërkonin fitoren për t’u shkëputur në krye të renditjes, ndërsa vendasit kërkonin suksesin e parë për vitin 2020 në kampionat.

Bylisi u përpoq të marrë kontrollin e lojës, duke luftuar fort për çdo top, por eksperienca e kuksianëve dallonte qartë, pasi ishin pikërisht djemtë e Shpëtim Duros, që shfaqeshin më rrezikshëm në zonën kundërshtare.

Pikërisht nëpërmjet një zbritjeje të shpejtë, ishte mbrojtësi i majtë Emiliano Musta, që pasi u shërbye mbi vijën e 16 metrave, lëshoi një gjuajtje të fortë, që u ndal vetëm nga rrjeta e portës së Hidit, me gardianin mallakastriot që nuk pati asnjë shans të reagonte.

Pjesa e dytë ishte njësoj si e para me Bylisin më kërkues, por me Kukësin që shfrytëzonte kundërsulmet dhe krijoi një mori rastesh për të mbyllur ndeshjen, por pa ia dalë të mposhtë për herë të dytë Hidin.

E pikërisht kur pritej vërshëllima finale e arbitrit kryesor të takimit, një shpërqendrim në mbrojtje i kuksianëve, u kushtoi shtrenjtë atyre, pasi sulmuesi uruguaian Mozzone u tregua i saktë dhe shënoi golin e barazimit.

Kukësi largohet kështu me një pikë nga Ballshi, rezultat që e mban në krye të renditjes me 42 pikë, një më tepër se Tirana ndjekëse, ndërsa mbetet në vendin e katërt me 33 pikë, 4 më pak se Partizani i vendit të tretë.

Të kuqtë ia dolën të marrin një tjetër 3-pikësh sot në transfertën e vështirë ndaj Laçit dhe duke përfituar nga hapat fals të Tiranës dhe Kukësit, u rikthyet tërësisht në garën për titullin kampion, pasi tani e shohin veten vetëm 5 pikë larg kreut.

Pas tre golave të shënuar në mesjavë në Kupë, Bruno Telushi ishte sërish protagonist në ndeshjen e sotme, pasi shënoi dy herë ne portën e Laçit, ndërsa emrin në listën e golshënuesve e shënoi edhe mbrojtësi Bitri.

Nga ana tjetër Laçi, që kaloi i pari në avantazh me Xhixhën, del me zero pikë nga kjo sfidë dhe pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, tani komplikon objektivin për një vend në kupat e Europës edhe nëpërmjet kampionatit.

Zgjohet Flamurtari, që pas disa humbjesh radhazi shkoi dhe mori tre pikët në transfertën ndaj Luftëtarit në Gjirokastër, që gjithsesi e lënë në vendin e fundit skuadrën vlonjate, por tani me më shumë shpresa për të provuar mbijetesën. Andi Ribaj vendosi sfidën në Gjirokastër, pasi shënoi golin e vetëm të takimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat