Ademi e FFK të pikëlluar, humbën një sportist të madh

Futboll

Ademi e FFK të pikëlluar, humbën një sportist të madh

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 11:38
Ademi e FFK të pikëlluar, humbën një sportist të madh

E nderuara familje Kaçaniku,
Të nderuar drejtues dhe anëtarë të KF “Trepça” dhe KF “Trepça’89”,
Të nderuar dashamirë të futbollit në Mitrovicë,

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, mikut tonë Gëzim Kaçaniku, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, që të Ju shpreh ngushëllimet e mija më të thella.

Kaqa, siç njihej nga të gjithë ne Gëzimi, dha kontribut të madh për futbollin e Kosovës, fillimisht si futbollist në epokën më të vështirë të saj, atë që njihet si periudha e sakrificës dhe e mbijetesës, e më pas edhe si trajner i shquar në edukimin dhe zhvillimin e gjeneratave të reja të futbollit mitrovicas. Prandaj, humbja e tij është e madhe jo vetëm për familjen dhe KF ‘Trepça’ e KF “Trepça’89”, klube në të cilat dha kontribut si futbollist e trajner, por për mbarë komunitetin e futbollit në Kosovë.

Përkushtimi në punë, dashuria për futbollin, urtësia dhe profesionalizmi i tij bëjnë që Kaqa të mbetet gjithmonë në kujtesën e miqve, kolegëve, gjeneratave të reja, por edhe në historinë e futbollit tonë.

Kaqa ishte i veçantë, sepse përveç që ishte i palodhshëm ishte person shumë pozitiv, ngase edhe atëherë kur atmosfera nuk ishte e mirë, ai dinte që me batutat e tij të veçanta gjithçka ta kthente në pozitivitet.

Në këto momente të vështira për Ju, jemi pranë jush që të përballoni më lehtë dhembjen për më të dashurin tuaj.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!, shkruan Agim Ademi, president i FFK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat