Guardiola sqaron të ardhmen: Nëse ndryshoj ekip, e bëj që të jem më i lumtur

Futboll

Guardiola sqaron të ardhmen: Nëse ndryshoj ekip, e bëj që të jem më i lumtur

Më: 22 shkurt 2020 Në ora: 10:50
Pep Guardiola

Tani, në Angli, por edhe në Itali, po flasin vetëm për të ardhmen e Pep Guardiolës. Sigurisht, pezullimi nga Kupat e Europës për dy sezone i Manchester City është një goditje e madhe, që ka ardhur nga UEFA. Mbetet të shihet vendimi i CAS, në mënyrë përfundimtare. Kjo temë u prek sërish në konferencën për shtyp të trajnerit të “qytetarëve”. Ai u pyet mbi mundësinë që të mbetet në “Etihad” edhe pas përfundimit të kontratës së tij aktuale (30 qershor 2021):

“Unë nuk e di çfarë do të ndodhë atëherë. Dua të qëndroj edhe një vit dhe, pas kësaj, gjithçka do të varet nga rezultatet. Absolutisht nuk mund ta përjashtoj zgjatjen e kontratës, nëse klubi është i lumtur me mua dhe punën që po bëj. Tani jam i përqendruar në këto tre muaj të mbetur të sezonit, pastaj do të kem kohë për të menduar”.

Po çarë do të vlerësojë Guardiola, kur të vendosë të ardhmen e tij? Jo aq shumë aspektin ekonomik, sa ai që lidhet me komoditetin për të punuar: “Unë jam duke kërkuar lumturinë. Kjo është e vetmja gjë, për të cilën kam nevojë. Punoj me një grup të jashtëzakonshëm lojtarësh dhe ndiej se ata më ndjekin 100%. Ata e dinë që nuk është e lehtë të punosh me mua. Arsyeja e vetme që mund të ndryshoj skuadër? Nëse besoj se diku tjetër do të jem më i lumtur sesa kam qenë më parë. Mendoj se nuk do të ketë probleme nga të dyja palët, nëse vendosim të qëndrojmë së bashku edhe për tri vite të tjera. Do të flasim në fund të sezonit aktual, ose në gjysmën e rrugës së sezonit tjetër, nuk e di”.

Për Guardiolën është sezoni i pestë, që drejton Manchester City: “Gjëja më e rëndësishme është se nuk jam penduar asnjë sekondë që kam ardhur këtu. Pastaj, natyrisht, rezultatet përcaktojnë punën tonë. Të gjithë trajnerët janë të rrezikuar; ata kanë probleme, momente të mira dhe të këqija. Edhe unë nuk jam ndryshe, por kurrë nuk jam penduar për vendimin tim. Dua ta përfundoj kontratën time, pastaj do të shohim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat