Ndërron jetë Marjani, ish futbollist i njohur i Kosovës 

Futboll

Ndërron jetë Marjani, ish futbollist i njohur i Kosovës 

Nga: Kemajl Goca Më: 22 shkurt 2020 Në ora: 12:10
Sot në orën 15.00, në varrezat e qytetit të Prizrenit do të varroset Marjani. I ndjeri është familje sportistësh, sepse edhe djali i tij, Valentini, ka qenë basketbollisti më i mirë në vendin tonë dhe sot është trajner i suksesshëm.  

Kosova mbetet pa një sportist të madh. 

Ish futbollisti i mirënjohur, Marjan Spaqi, në moshën 72-vjeçare ka ndërruar jetë, duke pikëlluar prizrenasit e në përgjithësi sportin në Kosovë. Marjani i takon periudhës së viteve të 60-ta, ku ishte prej futbollistëve më të mirë dhe luante për ekipin që atëkohë quhej “Metohia”, e cila në vitin 1970 e ndërroi emrin në KF Liria, ku edhe sot e mban këtë emër klubi me renome.

Marjani i takon periudhës së shkëlqyeshme, ku kishte bashkëlojtarë edhe Agim Bytyçin, Bajram Bytyçin, Skënder Simitqiun, Ali Bushin, Bujar Spahiun, Zef Gjonin, Hamit Shishkon, Bajram Piranën, Nexhid Gjigollin, Ibo Miftarin, Islam Slishanin, Adnan Pirollin, Gafurr Kaçanikun, Ilir Berishën etj. Marjani ka luajtur me sukses edhe për kombëtaren e Kosovës në atë periudhë dhe ka qenë në rrethin e gjerë të reprezentacionit të ish Jugosllavisë.

Image

Spaqi është dashur ta ndërpres karrierën sportive, pak për shkak të lëndimeve po ashtu edhe që ishte bartës i familjes. Ai përveç që njihet si ish futbollist i dëshmuar edhe si një filigranist shumë i suksesshëm.

Është familje sportistësh, sepse edhe djali i tij, Valentini, ka qenë basketbollisti më i mirë në vendin tonë dhe sot është trajner i suksesshëm.  

Marjani kishte qenë edhe përkrahësi më i madh i Valentinit që ka arritur të gjitha në jetën sportive dhe së fundi edhe shtytës më i madh që të merret me zejen e trajnerit. Sot në orën 15.00, në varrezat e qytetit të Prizrenit do të varroset Marjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat