Shkëndija ndahet baras me Sileksin

Futboll

Shkëndija ndahet baras me Sileksin

Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 18:20
Shkëndija ndahet baras me Sileksin

Xhiroja e 20-të në LPMFV sjell barazim për Shkëndijën që luan pa gola në transfertën me Sileksin në Kratovë, ku për 90-të minuta kuqezinjtë kishin mbështetjen e grupit të tifozëve ‘Ballistët’.

Barazojmë pa gola në transfertën me Sileksin në Kratovë, në një takim ku fati nuk ishte me ne posaçërisht në fund të ndeshjes kur në harkun kohor prej vetëm disa sekondave topi dy herë ndalet në kornizën e portës vendase, ndërsa në tentimin e tretë topi shkoi skaj shtyllës. Shkëndija sërisht ishte mysafire në start të gjysmësezonit pranveror, duke kërkuar suksesin e rradhës pas fitores së javës së shkuar në fushë të Akademia Pandevit. Me Valon Ahmedin e lënduar, sot si startues nisi sulmuesi Samir Fazli, por kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë shumë të matur, pa shumë presion drejt portës kundërshtare. Vendosja e këtillë hapi mundësi vendasit të kërkonin golin, por në 45 minutat e para nuk mundën të jenë konkret përveç një tentimi të Grozdanovskit që shkoi mbi traun e portës së Zahovit.

Pjesën e dytë nisëm më të vendosur për të sulmuar dhe trajneri Gjoka në fushë hodhi Radeskin që zuri vendin e Imerit. Shkëndija tani ishte skuadra që diktonte tempon e lojës dhe kërkonte të afrohet portës kundërshtare, mirëpo hasi në një rival të vendosur mirë taktikisht që mbyllnin me kokë çdo aksion që synonte të rrezikojë portierin Bozhinovski. Besart e Agim Ibraimi kishin nga një tentim të pasuksesshëm nga gjuajtjet e lira, por pa ndryshim.

Shkëndija shtoi presionin dhe mundësia më e mirë do të vinte në minutën e 85-të kur goditja e Radeskit u ndal në shtyllën e portës vendase, për të vazhduar rreziku me Alimin që me kokë çon topin në traversë, para se Nafiu të godasë pak pranë portës.

Fati përfundimisht ishte me vendasit që arritën deri në fund të mbrohen me sukses, pasi pika për ta ishte pozitive, ndërsa Shkëndija u ndal me barazimin e pestë sezonal dhe tashmë shikon kah ndeshja e rradhës me Makedonija Gj.P. në Tetovë. Vlen të ceket se sot Shkëndija nuk ishte e vetmuar në Kratovë, pasi grupi i tifozëve ‘Ballistët’ ishin të pranishëm në tribuna dhe për 90-të minuta mbështetën skuadrën.

SILEKSI-SHKËNDIJA 0:0
Stadiumi i qytetit në Kratovë
Shikues: 1 000
Arbitër: Jovan Kaçevski
Golashënues: /
SILEKSI: Bozhinovski, Darshkoviç, D. Grozdanovski (Gjuriç 55’), H. Grozdanovski, Ivanovski (F. Kostovski 87’), Karçevski, K. Kostovski, Mustafov (Osman 77’), Serafimovski, Timovski (c), Zheravica.
Trajner: Goran Simov
SHKËNDIJA: Zahov, Alimi, Çeshmexhiev, Fazli (Nafiu 69’), A. Ibraimi, B. Ibraimi (c), Imeri (Radeski 46’), Krivak, Mici, Murati, Totre.
Trajner:Ernest Gjoka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat