Ish-talenti i Shkendijës që luan në Kroaci: Drejtori na ka çuar në gjyq

Futboll

Ish-talenti i Shkendijës që luan në Kroaci: Drejtori na ka çuar në gjyq

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 11:03
Ish-talenti i Shkendijës që luan në Kroaci: Drejtori na ka çuar në gjyq

Shqiptarët po mbajnë gjithnjë e më shumë peshë në skuadrën e Lokomotivës së Zagrebit. Nuk është vetëm Myrto Uzuni që po kalon formë mjaft të mirë, por edhe Enis Çokaj, Jon Mersinaj dhe Indrit Tuci. Të tre këta të fundit janë tashmë pjesë e skuadrës së parë. Tri talentet kanë rinovuar kontratën disa ditë më parë për të qenë pjesë të skuadrës së parë. Klubi kroat njoftoi se futbollistët, pas periudhës në ekipet e të rinjve, kanë rinovuar deri në vitin 2024.

Konflikti – Pak ditë më parë, në një deklaratë të dhënë në televizionin “ABC News”, drejtori i shkollës kombëtare të futbollit, Ermal Tahiri, komentoi rinovimin e tre lojtarëve duke shtuar ndër të tjera se “rinovimi është bërë pa dijeninë e kompanisë që i menaxhon lojtarët në fjalë”. Mirëpo, lidhur me këtë çështje, konfirmimi vjen edhe nga Enis Çokaj për “Panorama Sport”. Mesfushori 21- vjeçar tregon transferimin e tij në Kroaci dhe shton se drejtori i shkollës ka zgjedhur të përballet me të në gjyq.

“Mua personalisht në Kroaci më ka sjellë Ermal Tahiri bashkë me Besnik Prengën dhe ju jam shumë mirënjohës për këtë gjë. Për sa jam në Kroaci, Prenga më ka ndihmuar shumë me letrat dhe kontratat që kam bërë këtu bashkë me Ermalin. Unë këtë kontratë e firmosa sepse dua të jem sa më shumë pjesë e këtij klubi dhe nuk kisha arsye ta refuzoja.

Meqë Ermal Tahiri zgjodhi të na hedhë në gjyq për këtë gjë, i uroj më të mirat dhe shpresoj që kjo gjë të zgjidhet sa më shpejt për të mirën e të dyja palëve”, deklaron Çokaj. Është e pakuptueshme pse ish-lojtarët e shkollës kombëtare të futen në konflikt me titullarin e saj, pasi largohen nga aty.

Karriera – Mesfushori 21- vjeçar është bërë pjesë e formacionit bazë të ekipit kroat, ku edhe ka gjetur rrugën e rrjetës këtë edicion, duke shënuar në kampionat dhe në Kupë. “Nuk kam hasur vështirësi përshtatjeje në Kroaci. Rinovimi i kontratës është shenjë që klubi është kënaqur nga çfarë kam treguar unë në fushë. Jam pritur mirë nga skuadra dhe kam marrëdhënie korrekte me të gjithë. Kam si objektiv që të luaj sa më shumë dhe të shfaq gjithnjë më të mirën. Kombëtarja është një ëndërr për mua dhe do jap maksimumin për t’u bërë pjesë e saj”, tregon Çokaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat