VAR pritet të implementohet shumë shpejt në Superiore

Futboll

VAR pritet të implementohet shumë shpejt në Superiore

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 13:00
VAR pritet të implementohet shumë shpejt në Superiore

Sistemi VAR është projekti i radhës që Federata Shqiptare e Futbollit synon të implementojë në Kategorinë Superiore. Për realizimin e këtij projekti ambicioz, FSHF ka ngritur një grup pune dhe kanë filluar seminaret dhe takimet me IFAB dhe FIFA. Seminari parë është zhvilluar të martën dhe të mërkurën, me praninë e Presidentit Armand Duka dhe Thibaud Nijssen, nga IFAB si menaxher i shërbimeve të futbollit. Bhaveshan Moorghen, nga Departamenti i Teknologjisë dhe Inovacionit në FIFA dhe Mike Bossler nga Sektori i Arbitrimit në FIFA si dhe drejtues të FSHF-së, që janë pjesë e grupit të punës.

Presidenti Duka shprehu vullnetin e tij për ta implementuar këtë sistem në Kategorinë Superiore nga sezoni 2021-2022, dhe kërkoj nga ekspertët e IFAB dhe FIFA ekspertizën e nevojshme për të rritur kapacitetet njerëzore dhe sugjeruar sistemin më të mirë që duhet implementuar.

“Jemi në këtë takim për sistemin VAR, pavarsisht se ka mendime të ndryshme, ky është një vendim tashmë, një vendim për tu respektuar dhe për tu zhvilluar. Si të gjithë vendet europiane dhe përtej që e kanë implementuar ne kemi vendosur ta fillojmë këtë proces. Me përkrarhjen tuaj unë uroj që të bëjmë një sistem sa më të mirë, është diçka e ndërlikuar. Unë nuk mendoj se VAR-i do të drejtojë lojën, do të jenë përsëri arbitrat, dhe kjo është shumë e rëndësishme që arbitri ta kuptojë që mbetet ai që vendos. Teknologjia dhe sistemi VAR janë për ta ndihmuar arbitrin në vendimmarrjen e tij, por jo për të vendos në fushë.

Në fushën e lojës vendos vetëm arbitri. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, e kam fjalën për pjesën tonë, në mënyrë që pas implementimit të sistemit të mos bëjmë gabime trashanike, që edhe ndodhin, kur ti nuk e përdor mirë atë informacion që të jep teknologjia. Përgatitja e kapaciteteve njerëzore është më e rëndësishme sesa dy-tri kamera apo dy-tri pajisje që vendosin vizat për pozicionin jashtë loje. Objektivi ynë është që ta fillojmë në sezonin 2021-2022. Unë mendoj se duhet ta fillojmë me një kategori, dhe besoj se do të fillojmë me Kategorinë Superiore. Brenda një kampionati të jem me dy standade do të jetë e vështirë, nëse e implementojnë në disa ndeshje, kështu që unë mendoj se duhet të arrijmë ta fillojmë me të gjithë kampionatin e Kategorisë Superiore në edicionin 2021-2022”.

Projekti për implementimin e sistemin VAR parashikohet të shtrihet në faza, ku në fillim synohet të ngrihet një grup pune me ekspert arbitrimi, arbitra që janë në sistem aktualisht, ekspert teknologjie, ekspert ligjor dhe nga sektori garave për të ndjekur të gjithë trajnimet dhe kualifikimet e nevojshme nga programi për asistencë, aprovim dhe implementim që jepet nga IFAB dhe FIFA, me qëllim për tu fokusuar te praktikat më të mira. Ndihma e IFAB dhe FIFA ofrohet për të zhvilluar në mënyrën më të mirë sistemin VAR për të mbrojtur garën dhe kompeticionet. Në fazën e dytë parashikohet përcaktimi i sistemit që do të implementohet.

Ekspertiza nga IFAB dhe FIFA përveç rritjes së kapaciteteve njerëzore do të jetë edhe në përzgjedhjen e sistemit më të mirë, duke parë që sot aplikohen tre sisteme VAR: një sistem me regji qendrore, një sistem me regji në çdo stadium dhe një tjetër të lëvizshëm për çdo stadium ku luhen ndeshje. Ekspertët e ardhur në Tiranë u shprehën se kërkohet cilësi maksimale në momentin e implementimit dhe duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm në afatet kohore. Ata sugjeruan që të merret e gjitha koha e nevojshme, në mënyrë që të mos nxitohet për të arritur më të mirën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat