Kontratë e re për Ibrën

Futboll

Kontratë e re për Ibrën

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 15:57
Kontratë e re për Ibrën

Te Milani janë të bindur që ai është zgjedhja e duhur, por duhet bindur edhe Zlatan Ibrahimoviçi për Milanin. Me apo pa Champions, kuqezinjtë do të mundohen të mbajnë 38- vjeçarin, impakti i të cilit ka qenë më shumë se pozitiv në këta dy muaj të parë të vitit. Së shpejti në adresë të futbollistit do të mbërrijë një ofertë prej 7 milionë eurosh plus bonuse për një tjetër vit me numrin 21 mbi shpinë.

Përveç rolit të liderit, 38-vjeçari mund të ketë zë edhe në zgjedhjet e merkatos, çka mund t’i shërbejë si formim për atë që do të jetë karriera e tij pasi të varë këpucët në gozhdë. Në fakt, Ibra nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të qenë pjesë e botës së futbollit si drejtues, madje edhe në kontratën aktuale me Milanin ky fakt është përmendur si një mundësi bashkëpunimi në të ardhmen.

Suedezi ka interesa në shumë fusha të tjera, pasi siç dihet është imazh i kompanisë “Volvo” dhe ka aksione në një kompani çamçakëzësh. Për të mos u harruar janë edhe kuotat te klubi i futbollit Hamarbi, ekipin e të cilit e ka ndjekur të hënën mbrëma në ndeshjen e radhës e vlefshme për Kupën e Suedisë. Ndërkohë, një tifoz i Malmos në Itali është gjobitur me 300 € për shkak se hodhi një pako me acid drejt portës së vilës ku jeton ylli suedez i futbollit Zlatan Ibrahimoviç. “La Repubblica” raporton se ky shtetas ka vepruar i indinjuar nga mbështetja që Ibra u ka dhënë rivalëve të Malmos, Hamarbit duke deklaruar kohë më parë se do të mbështeste financiarisht këtë skuadër.

Duke u rikthyer te aktualiteti dje Zlatan Ibrahimoviç ka zhvilluar stërvitjen e parë të javës në grup. Të dielën kuqezinjtë presin në shtëpi Xhenoan në orën 12:30. Kampionati italian, e veçanërisht sfida me Fiorentinën ka turbulluar qetësinë kuqezi. Milani nëpërmjet televizionit të klubit ka nxjerrë një video ku dallohet që Ibrahimoviç nuk e prek topin më dorë në rastin e golit të anuluar nga arbitri Kalvareze pas shqyrtimit të VAR-it. Diçka e tilla shton akoma më shumë pakënaqësitë e “Djallit” lidhur me arbitrimin e sfidës së fundjavës kundër vjollcëve që barazuan me një penallti tejet të dyshimtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat