Mushica: Lufta për titull shumë “e nxehtë”, pres që kjo skuadër të shpallet kampione

Futboll

Mushica: Lufta për titull shumë “e nxehtë”, pres që kjo skuadër të shpallet kampione

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 18:07
Kushtrim Mushica

Ish-portieri i njohur, Kushtrim Mushica vazhdon ta përcjellë me shumë interesim futbollin e Kosovës, ndërsa vlerëson se, sivjet lufta për titullin e kampionit do të jetë më interesante se në të kaluarën.

“Gara për titull është e zjarrtë, sepse këtë synim nuk e kanë vetëm dy skuadra siç ndodh në shumë kampionate, por me 4 sosh. Fjala është për Prishtinën, Ballkanin, Dritën dhe Gjilanin”, ka thënë Mushica.

Ai ka theksuar se është vështirë të parashikohet skuadra që do t’i gëzohet titullit.

“Do të ketë përballje shumë interesante deri në fund. Të parashikosh tani fituesin është vështirë dhe mund të bazohemi në fondin e lojtarëve që kanë. Në këtë aspekt po thuajse qëndrojnë njësoj këto skuadra. Po ashtu ecurinë e kanë pasur të mirë dhe qysh në start të gjysmë sezonit kanë pasur rezultate të mira”, ka shtuar Mushica.

Sipas tij, Prishtina mund të favorizohet për shkak të traditës, por pa i përjashtuar as skuadrat tjera. “Diça tjetër që mund të ndikojë është edhe tradita e që Prishtina në këtë aspekt favorizohet. Mos të harrojmë se Ballkani ka treguar nga ndeshja në ndeshje se e ka seriozisht luftën për titull dhe me lojën që po bën e ka zbukuruar kampionatin”, është shprehur Mushica.

Pikërisht të shtunën do të takohen Prishtina dhe Ballkani, por ish-portieri i skuadrës kryeqytetase vlerëson se kjo ndeshje nuk është përcaktuese për titull.

“E shtuna mund të flasë shumë rreth asaj se çfarë mund të presim deri në fund, por sigurisht nuk përfundon asgjë, sepse të gjitha skuadrat që pretendojnë titullin do të përballen në mes vete, së paku nga njëherë.  Megjithatë, mendoj që Prishtina në fund do të dalë kampione dhe t’i japë fund pritjes 6-vjeçare”, ka thënë Mushica në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat