Shkëndija do pikë të plota kundër Borecit

Futboll

Shkëndija do pikë të plota kundër Borecit

Më: 7 mars 2020 Në ora: 16:06
Shkëndija do pikë të plota kundër Borecit

Të dielën Shkëndija nga Tetova, kampion në fuqi, luan si mysafirë me Borecin në Veles në duelin e xhiros së 22-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Sërish ndeshjet luhen pa praninë e publikut.  

Me gjysmëfinalen e Kupës në ‘xhep’, kuqezinjtë kthejnë vëmendjen kah kampionati, që në fundjavë sjell xhiron e 22-të. Kësaj rradhe do të jemi mysafirë të Borecit në një duel ku kërkojmë konfirmim të formës së mirë dhe tre pikë të reja në luftën për titullin e kampionit. Periudha që pason sjell ritëm të ngjeshur të ndeshjeve në kampionat dhe për këtë arsye stafi teknik të mërkurën bëri më shumë ndryshime në formacion, duke menduar për ruajtjen e freskisë së skuadrës.

Gjithsesi, ekipi arriti të menaxhojë kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës, pasi barazimi 2:2 na dha përparësinë e më shumë golave të shënuar si mysafirë në kushte kur sfida e parë në Tetovë ishte mbyllur 1:1. Tani në ‘menu’ kemi Borecin, kështu që të premten e të shtunën ekipi punoi enkas për këtë sfidë. 


Të rejat në skuadër

Nëse në Kupë barazimi na çoi në turin e rradhës, në kampionat nuk na lejohet mos të fitojmë nëse duam të jemi në hap me kreun. Pasi pushoi më shumë futbollistë të mërkurën kundër Rabotniçkit në ndeshjen e Kupës, trajneri Gjoka tani kërkon të shfrytëzojë freskinë e lojtarëve që nuk ishin në formacion në mesjavë.

Kështu, pasi ishin jashta kombinimit në sfidën e fundit, tani grumbullohen A. Ibraimi, Mici e Dallku, ndërsa në kombinim janë edhe ‘rezervistat’ e duelit të Kupës, B. Ibraimi, Murati, Zahov e Imeri. Për fat të mirë nuk kemi lëndime, i vetmi lojtar i pezulluar me 5 kartona është Totre, kështu që stafi teknik mund të zgjedhë formacionin sipas nevojës dhe strategjisë.

Pozita e fundit në renditje nuk korrespondon me formën dhe paraqitjet e Borecit në këtë kampanjë të tyre të parë në elitë, pas shumë viteve në kategoritë më të ulta (Liga e Dytë dhe kryesisht e Tretë). Skuadra nga Velesi në 21 xhirot paraprake ka grumbulluar 21 pikë, derisa në terren të vet këtë sezon ka pësuar vetëm një humbje. Në dy ndeshjet paraprake të këtij sezoni me Shkëndijën, në Veles rezultati ishte 1:0 për vendasit, ndërsa takimi në Tetovë u fitua 4:0 nga kuqezinjtë ku me tre-golësh spikati Armend Alimi. 

Boreci-Shkëndija luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Veles me fillim në orën 14:00, ndërsa sërish nuk do të lejohet prania e publikut pasi Qeveria e vendit rekomandon masa preventive për mos përhapjen e coronavirusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat