Shala: Flamurtari ka potencial që t’i mposhtë edhe ekipet që luftojnë për titull

Futboll

Shala: Flamurtari ka potencial që t’i mposhtë edhe ekipet që luftojnë për titull

Nga: Kemajl Goca Më: 10 mars 2020 Në ora: 17:49
Bashkim Shala

Pas përfundimit të fazës së dytë, tani do të fillojë faza e tretë e Superligës së Kosovës në futboll. Deri në fund kanë mbetur edhe 11 ndeshje, edhe 33 pikë të mundshme dhe gjithçka është e paqartë në luftë për titullin e kampionit po ashtu edhe për ekzistencë.

Katër skuadra janë në garë të ashpër për titull, Ballkani (44 pikë), Drita (43), Gjilani (41), Prishtina (41), ndërsa për ekzistencë fyt për fyti luftojnë: Drenica që renditet në pozitën e shtatë me 30 pikë, Flamurtari (28), Trepça ’89 (26), Ferizaj (25), por të qetë nuk do të jenë as skuadrat, si Feronikeli dhe Llapi që zënë vendin e pestë përkatësisht të gjashtë me nga 34 pikë!

Flamurtari i Prishtinës është i trimëruar pas triumfit me rezultat 2:1 kundër Ballkanit, duke u ngjitur në pozitën e tetë dhe shpresojnë se do të arrijnë të janë edhe më lartë në renditje. Në klubin kuqezi po bëhet një punë e madhe nga kryetrajneri Sunaj Keçi dhe nga gjithë stafi, me synime që të vazhdojnë me rezultate të mira në javët e ardhshme, që të grumbullojnë pikët e duhura për mbetjen në shoqërinë e më të mirëve.

Image

Mesfushori ofensivë Bashkim Shala, që realizoi për “flamurtarët” ndaj Ballkanit, tha se është një atmosferë e shkëlqyeshme brenda klubit, që iu jep edhe më shumë forcë për në vazhdim të kampionatit për të vazhduar rrugën e rezultateve të mira.

Në pranverë kuqezinjtë kanë një ecuri të mirë, nga pesë ndeshje fituan 9 pikë. Ata e mundën me 4:3 Trepçën '89, pësuan humbje si mysafirë nga Gjilani me rezultat 2:0. Në Prishtinë e mposhtën Vushtrrinë me 2:0, ndërsa në udhëtim humbën me 3:1 nga Drenica dhe si vendas fituan me 2:1 në përballje me Ballkanin. Tri ndeshje si vendas të gjitha fitore, një bilanc i qind për qindtë, por asnjë s'e fituan si mysafirë. 

“Bota sot”: Flamurtari triumfoi ndaj liderit Ballkani, ju trimëron edhe me shumë për në vazhdim të kampionatit?
Bashkim Shala:
Fitorja ndaj Ballkanit është një fitore shumë e rëndësishme. Sa i përket ambicieve të cilat i kemi, na jep motiv shtesë në ndeshjet në vazhdim të cilat i kemi.

“Bota sot”: Faza e tretë, një kalendar interesant, takoheni në Gjilan me Dritën, pastaj sërish iu vije Ballkani në fushën e Flamurtarit, është një presion shtesë?
Bashkim Shala:
Kalendari i kësaj faze është i vështirë por ne e treguam edhe lojën me Ballkanin që kemi potencial t’i mundim edhe ekipet që luftojnë për titull. Besoj që edhe me Dritën edhe me Ballkanin do të mundohemi maksimalisht për rezultat pozitiv.

“Bota sot”: Flamurtari është në pozitën e tetë me 28 pikë, a shpresoni se do ta ruani këtë pozitë apo do të ngjiteni edhe më lartë?
Bashkim Shala:
Pozitën të cilën e kemi në tabelë, sigurisht se varet prej neve si do të luajmë në ndeshjet në vazhdimësi, por unë besoj fuqishëm në ekip të cilën e kemi se do të ia dalim që të jemi sa më lartë se pozita e tetë.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me kushtet dhe atmosferën në klub?
Bashkim Shala:
Normalisht i kënaqur me mjete financiare dhe atmosfera është shumë e mirë, sidomos pas fitores ndaj Ballkanit si lider i ligës. E jona është të punojmë e të vazhdojmë me rezultate të mira.

“Bota sot”: Çfarë e veçon më shumë ekipin tuaj nga të tjerët?
Bashkim Shala:
E ka një organizim të mirë, ka njerëz që e njohin futbollin, e udhëheqin klubin. Klub stabil dhe kushtet e mira, janë edhe një motiv shtesë për të gjithë.

“Bota sot”: Ju si mesfushor ofensivë shënuat gol kundër Ballkanit, a jeni në formën më të mirë?
Bashkim Shala:
Po kaloi në një formë të mirë. Kam shënuar 5 gola, në Kupë, shpresoj që në vazhdim do të shënoj më shumë dhe t’i shërbej ekipit më shumë gjatë kampionatit.

“Bota sot”: Çfarë ju premton tifozëve?
Bashkim Shala
: Do të sigurojmë mbijetesën. Kemi ekip të mirë, të gjithë po japim maksimumin dhe besoj e shpresoj se do të arrijmë qëllimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat