Skënderbeu po respekton veten

Futboll

Skënderbeu po respekton veten

Më: 11 mars 2020 Në ora: 11:27
Skënderbeu po respekton veten

U luajt pa tifozë, për të parën herë në kampionatin shqiptar për një masë të marrë në lidhje me frikën e një epidemie, por më besnikët e skuadrës nuk ngurruan të grumbulloheshin për të bërë që zëri i tyre të dëgjohej edhe nga jashtë stadiumit. Kur Ilir Daja dilte nga fusha i duartrokitur dhe duke iu përgjigjur brohoritjes së atyre pak njerëzve të lejuar në tribunë, kishte në fytyrë një buzëqeshje triumfuese.

Skënderbeu i tij i ka dhuruar një tjetër kënaqësi këtij qyteti, kishte mundur 2-1 Kukësin në kulmin e luftës për titull. Ata vërtet nuk mund të luftojnë për titull, por mund të vendosin fatet e këtij kampionati, thjesht duke bërë më të mirën për veten e tyre. Kjo ishte fitorja e katërt radhazi dhe në klasifikimin virtual të vitit 2020 janë të dytët pas Tiranës.

E jashtëzakonshme për një skuadër që verën e kaluar, përtej deklaratave të Takajt apo vetë Dajës në prezantim, mendohej se do të ishte thjesht pjesëmarrëse në një zvarritje ekzistence.

Skënderbeu ka treguar se është krejt i kundërt e atij që mund të mendonin skeptikët. Karakter dhe motivim, nuk është e lehtë për një skuadër që, pavarësisht renditjes finale për momentin ka të ndaluar Europën, e madje pret të mësojë fatin e së ardhmes në një sallë gjyqi. 

Financat pa dyshim nuk janë ato të viteve të shkuara, e po ashtu edhe organika. Nuk mungojnë “yjet”, Bregu, Kolici e Gripshi, por as të rinjtë e evidentuar dhe vlerësuar, shembulli më perfekt Elezi apo Pëllumbi e Meksi, me Ilir Dajën që thjesht ka bërë edhe një herë më të mirën e mundshme.

Në aspektin sportiv janë në zonën europiane dhe madje mund të sulmojnë vendin e dytë, por shifrat, në fund të fundit, janë vetëm konfirmimi i diçkaje më të madhe, edhe në vitin e tyre më të vështirë ata janë sërish Skënderbeu, respekte!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat