Zëdhënësi i FFM-së, tregon se a ka rrezik që sfida mes Maqedonisë dhe Kosovës të mos luhet fare me 26 mars 

Futboll

Zëdhënësi i FFM-së, tregon se a ka rrezik që sfida mes Maqedonisë dhe Kosovës të mos luhet fare me 26 mars 

Nga: Kemajl Goca Më: 12 mars 2020 Në ora: 16:36
Faton Zylbehari

Komisioni për gara pranë Federatës së futbollit të Maqedonisë vendosi të pezullojë për kohë të pacaktuar kampionatin kombëtarë në Ligën e Parë, Ligat e Dyta e të Treta, si dhe kampionatin e femrave dhe futsallin. Vendimi u mor pas rekomandimeve dhe ndalesave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e virusit COVID-19, i cili përfshin ndalimin e të gjitha tubimeve publike dhe private, pavarësisht nga rëndësia apo numri i pjesëmarrësve-koncerte, teatro, kinema, palestra sportive, palestrave, e kështu me radhë.

Paraprakisht, në pajtueshmëri me rekomandimet dhe ndalesat e Qeverisë së Maqedonisë për parandalimin e virusit COVID-19, Komisioni për futbollin e moshave solli vendim për ndërprerjen e gjithë garave në kategoritë e reja dhe ndeshjet e Ligave të Fëmijëve të FFM-së të pezullohen për dy javët e ardhshme. Zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Faton Zylbehari, flet për gazetën kombëtare “Bota sot”, se a ka rrezik që sfida mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, që fare mos të zhvillohet në datën e paraparë me 26 mars, e cila është vendos që të luhet pa shikues në stadiumin “Toshe Proeski” në Shkup.  Po ashtu flet për shtyrjen për kohë të pacaktuar të të gjitha garave në Maqedoni.

“Është e vërtet që sot me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, komisioni për garat pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, mori vendim për pezullimin për kohë të pacaktuar të të gjithave garave në futbollin vendorë. Ditë me parë u vendos që në 30 ditët e ardhshme çdo event sportiv të zhvillohet pa praninë e publikut.

Nëse numërojnë matematikat është shumë e thjeshtë, na fut brenda këtij afatit 30 ditor edhe ndeshjen e 26 marsit, pra vendimi momental, ajo që mund thuhet 100 për qind e sigurt, që kjo ndeshje nëse zhvillohet do të zhvillohet pa praninë e publikut.

Mirëpo gjatë ditës së djeshme, FFM-së edhe zyrtarisht çojë shkresë të UEFA-së duke kërkuar shtyrjen e kësaj përballje për një afat kur të jetë situata më normale. Arsyeja e kërkesës për të shtyrë ndeshjen përveç gjërave normale që lindin nga përhapja e coronavirusit, fakti që ndeshja duhet të luhet pa praninë e publikut dhe faktit që sigurisht se futbolli luhet për shikues dhe duhet të jetë një festë e vërtetë e futbollit kjo përballje, sigurisht se ka edhe një brengë tjetër shumë serioze, në fakt në aspekte të lojës sepse e dimë që Maqedonia ka tre lojtarë që luajnë në Itali.

Dhe vendimi i qeverisë së vendit është që çdo qytetar i cili udhëton në vend dhe vjen nga një vend ku shkalla apo niveli i përhapjes së virusit korona është e lartë, automatikisht çdo person duhet të futet në vetizolim apo në karantinë dyjavor, që pamundëson Eljif Elmas, Goran Pandev, Ilija Nestorovski që të jenë në ndeshjen me Kosovën”, thotë Zylbehari. Më tutje tha se edhe kombëtarja e Kosovës po ballafaqohet me një problem të tillë.

“Me problemet të ngjashme sigurisht që përballet edhe përfaqësuesja e Kosovës, dhe natyrisht që shkresa është drejtuar UEFA-s të analizuar mirë situatën sepse jo vetëm publiku por edhe ekipet nuk do të jenë në momentin e tyre më të mirë në aspekt të lojtarëve për të shfrytëzuar gjitha kapacitete poseduese në drejtim të realizimit të një suksesit historik, siç është kualifikimi në Kampionatin Evropian për vitin 2020, që mund të sigurohen pikërisht përmes këtyre dy ndeshjeve, gjysmëfinale të play-off-it të Ligës së Kombeve dhe të finales së Ligës së Kombeve përballë fituesit të duelit Gjeorgji - Bjellorusi.

Kujtoj që të martën UEFA ka paralajmëruar një video konferencë, ndërmjet gjithë anëtarëve të UEFA-së, përfaqësuesve të FIFA-së, ligave evropiane për të vendosur se si do të bëhet më tutje dhe besoj se edhe këtu do të lind vendimi përfundimtar”, përfundoi Zylbehari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat