Nuk janë në planet e Contes

Futboll

Nuk janë në planet e Contes

Më: 17 mars 2020 Në ora: 17:15
Nuk janë në planet e Contes

Borja Valero dhe Matias Vecino ishin dy nga blerjet e para që Interi bëri kur uli në pankinë Luciano Spalletin në verën e 2017-ës, ndërsa që të dy u shndërruan në titullarë të mesfushës, duke luajtur rregullisht për një kohë të gjatë.

Megjithatë tani që në pankinë është ulur Antonio Conte, asnjë prej tyre nuk shihet si i përshtatshëm dhe janë aktivizuar nga tekniku puljez vetëm në rastet kur nuk ka pasur zgjedhje të tjera, ndaj në fund të sezonit mund të vijë edhe lamtumira.

Mesfushorit spanjoll në fakt i përfundon kontrata në qershor dhe te Interi nuk kanë ndërmend t’i ofrojnë një marrëveshje të re bashkëpunimi, duke qenë se vitet mbi supe po i peshojnë shumë dhe nuk është në gjendje të përshtatet me kërkesat impenjative të Contes.

Sa i përket mesfushorit uruguaian Vecino, Conte nuk e ka në planë për sezonin e ardhshëm dhe zikaltrit janë në pritje të ofertave, për të përfituar sadopak nga shitja e tij dhe për të investuar në emra që pëlqehen nga tekniku i Interit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat