Shqiptari i njohur shpërthen për kampionatin: Atëherë na mbylli kallashi

Futboll

Shqiptari i njohur shpërthen për kampionatin: Atëherë na mbylli kallashi

Më: 28 mars 2020 Në ora: 15:16
Shqiptari i njohur shpërthen për kampionatin: Atëherë na mbylli kallashi

Kjo periudhë izolimi prej “Coronavirus”, në kushtet e një lufte të padukshme, po krahasohet nga ish-futbollistë e trajnerë me vitin e mbrapshtë 1997. Asokohe, sikurse e dinë të gjithë, Shqipëria ishte në prag të një lufte civile, bandat bënin ligjin në qytetet kryesore të vendit, jeta iu nënshtrua gjendjes së jashtëzakonshme. Edhe futbolli “mori pushimet” për njëfarë kohe, si aktualisht, prej virusit Covid 19. 

Ndërkohë që institucionet futbollistike lokale, kontinentale dhe globale po mendojnë se si do të kompletohen garat e këtij sezoni, në Shqipëri kujtojnë eksperiencën e ndjekur më 1997. Mirëpo, asokohe u konsiderua padrejtësi e FSHF, që e spostoi pjesën e mbetur të kampionatit në kryeqytet. Flamurtari, që kryesonte deri para gjendjes së jashtëzakonshme, pretendon se u vodh, me titullin që shkoi në fund për Tiranën. 

Kësaj pjese të zymtë të historisë së futbollit tonë i është rikthyer edhe Sokol Kushta, ish-sulmues i njohur i skuadrës vlonjate, por jo vetëm. Në Facebook, ai ka bërë këtë shënim:  

“Kur bëra një shkrim para 10 ditësh, më erdhi kujtesa e vitit të vështirë ‘97. Atëherë na mbylli kallashi, tani virusi. Por, më vjen keq që disa njerëz harrojnë me dashje, ose pa dashje, dhe s’dinë çfarë flasin. Ata mundohen të ndryshojnë rrjedhën e historisë, gjë që s’mundin dot. Mundohen të anashkalojnë faktet kryesore dhe te kalojnë në momente banale, jo ishte goli me dorë, jo ishte e kuqe…, duke harruar thelbin. U luajt pisët ndaj Flamurtarit në atë kohë. Mbas datës 15 janar ra shteti, ligjin e bënin bandit e lagjeve dhe çetat, si mund të diskutoje për futboll. 

 

Nga Flamurtari u larguan 13 lojtarë prej kësaj situate lufte. Tre muaj qëndruan të mbyllur të gjithë. Si mund ta mbledhësh kampionatin dhe t’i zhvillosh ndeshjet, kur nëpër rrethe nuk stërviteshin dot? Si mund të udhëtonte Flamurtari nga Vlora për në Tiranë, kur vetë këta zotërinjtë e FSHF nuk vinin dot deri në Durrës, se Lushnje, Fier, Berat dhe Vlorë jo e jo. Për t’i bërë qejfin UEFA-s bënë një zgjidhje në kurriz të Vlorës. Na kapi të papërgatitur, thonë… Po, e vërtetë, por si u përgatitët, si ia dhatë zgjidhjen? “Play off”. 

Po sot, çdo të bëni? ”Play off” sërish? Ku? Pse s’u bë asokohe “play off” në Vlorë? Pse në Tiranë? Mos flisni budallëqe, por kërkoni falje, se tregoni karakter. Pyesni Drizën, Diamantin, Mukën, Çipin, Fakajn e shumë lojtarë të rinj atëherë, 19 e 20-vjeçarë, se çfarë kanë hequr, çfarë frike kanë përjetuar, meqenëse përpara teje nuk paskan qëlluar me pëllëmbë policët. Selami bëri gabim që e dërgoi Flamurtarin në “play off”. 

Historia duhet thënë si ka qenë realisht. Dhe kur bëhen gabime, pranohen, sepse ashtu rregullohen gjërat. I njëjti gabim u bë dhe me Beratin (Tomorin) më vonë. Gjithmonë fajin e kanë ekipet e rretheve, ju nuk gaboni asnjëherë! Kështu varfëroni futbollin dhe largoni njerëzit. Nuk luhet futbolli vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat