Ka shumë rrëmujë

Futboll

Ka shumë rrëmujë

Më: 1 prill 2020 Në ora: 14:46
Demetrio Albertini

Zemër milaniste dhe mendje drejtuesit. Pasi vari këpucët në gozhdë, Demetrio Albertini ka pasur disa role nëpër klube e Federatë dhe në sajë të përvojës, flet me keqardhje për Milanin aktual.

Si e gjykoni gjendjen e kuqezinjve?

Sipas meje ka një rrëmujë të madhe. Nga njëra anë është Gazidhis me të cilin jam takuar disa herë e në tjetrën një mik si Bobani. Largimi i tij më ngjason me atë të një kampioni nga një ekip ku ka shumë kampionë e po aq mendime të ndryshme. Nëse ka pakënaqësi, kërkimi i fajtorit është i kotë. Pavarësisht se kush gabon, pasojat i paguan Milani.

Çfarë këshilloni atëherë?

Në këto momente duhet ndërtuar një plan i ri sportiv, por që të jetë i qartë. Duke nisur çdo vit nga e para nuk ka kuptim e nuk shërben. Nëse Milanin e konsiderojnë vetëm si projekt ekonomik, atëherë le ta thonë.

Ju duket e drejtë ideja e “Elliott” për të afruar vetëm të rinj?

Jam dakort me investimet në ekipin e të rinjve, por në Serinë A nuk mjaftojnë të rinjtë. Flas për përvojë ndaj them se sado cilësore të jenë, futbollistët e rinj nuk garantojnë vazhdimësi e kanë nevojë për shokë skuadre me përvojë. Mendoj gjithashtu se nevojitet sens përkatësie. Klubet italiane kanë nevojë për vendës, siç bëri Interi me Sensin e Barelan.

Përmendët përvojën personale, mund të shpjegoni më mirë?

Jam rritur në një ekip ku yjet ishin tre holandezët. Më vonë erdhën Ueah, Boban e të tjerë. Pas tyre ishim ne të rinjtë, por që kishim fort të rrënjosur brenda nesh identitetin e Milanit.

Pra duhet edhe përvoja e kampionëve si Ibrahimoviçi?

Milani ngjasonte me një pellg uji dhe Zlatani ishte një gur që u hodh aty. Dallgët e tij patën efekt. Ibra krijoi emocione dhe tregoi me fakte se mund të luajë në Serinë A. Ndoshta nuk do të përballonte një sezon të plotë duke luajtur çdo ndeshje, por kjo nuk ka rëndësi për sa kohë është pjesë e grupit.

Për ta mbyllur, a mund të na shpjegoni çfarë ndodhi me Inzagin?

Fillimisht duhet të dini se nuk ishte grindje. Pipon e kam mik prej vitesh, por më shqetëson fakti që mendohet se ka diçka për të fshehur nëse vendoset që të mos fillojnë kampionatet. Shëndeti ka përparësi në këto çaste, pavarësisht se ndeshjet e normalitetin mezi po i presim të gjithë.

Kur mendoni se do të rinisin kampionatet atëherë?

Nuk kam nga ta di, por besoj se nga mesi i prillit do të kemi ide më të qarta lidhur me këtë aspekt. Ashtu si shumë të tjerë, edhe unë kam humbur miq për shkak të “Coronavirus”-it, ndaj çdo vendim duhet menduar mirë për të shmangur çdo problem.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat