Situata e vështirë ekonomike

Futboll

Situata e vështirë ekonomike

Më: 2 prill 2020 Në ora: 14:55
Situata e vështirë ekonomike

Situata e vështirë ekonomike, që pritet të përjetojnë klubet për shkak të koronavirusit, ka bërë që edhe Roma të fokusohet veçanërisht te futbollistët që u përfundon kontrata këtë verë me klubet aktuale, për t’u përforcuar me sa më pak shpenzime.

Kështu drejtori sportive i verdhekuqve, Gianluca Petracchi ka nisur kontaktet me fantazistin gjerman Mario Goetze, të cilit i përfundon kontrata me Borussian e Dortmundit në muajin qershor dhe nuk ka ndërmend të rinovojë atë, pasi kërkon një tjetër eksperiencë.

Palët janë duke negociuar dhe kanë një akord paraprak mbi kohëzgjatjen e kontratës dhe shifrat e pagës, por vetë fantazisti kërkon edhe garanci në aspektin sportiv, pasi largimi nga Dortmundi po vjen vetëm për faktin se ka luajtur shumë pak.

Një tjetër emër në listën e Petracchit është edhe ai i sulmuesit spanjoll të Chelseat, Pedro, i cili gjithashtu do të jetë një lojtar i lirë pas përfundimit të këtij sezoni, sepse i përfundon kontrata me “blutë e Londrës” dhe nuk ka ndërmend të rinovojë përsëri.

Tashmë në moshën 32-vjeçare, sulmuesi spanjoll joshet nga ideja për të provuar një aventurë në kampionatin italian, ndërsa Roma do të mund t’i shtonte eksperiencë një grupi të mbushur me lojtarë të rinj të talentuar.

Megjithatë në diskutimin për Pedron, problem mbetet kohëzgjatja e kontratës, pasi sulmuesi kërkon të nënshkruajë për 4 sezone, ndërsa Roma ka ofruar vetëm një kontratë dy vjeçare momentalisht, me opsionin për rinovimin edhe për një sezon të tretë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat