Tërbohen te Kukësi dhe janë lojtarët ata që nuk kanë duruar më

Futboll

Tërbohen te Kukësi dhe janë lojtarët ata që nuk kanë duruar më

Më: 3 prill 2020 Në ora: 14:43
Tërbohen te Kukësi dhe janë lojtarët ata që nuk kanë duruar më

Tërbohen te Kukësi dhe janë lojtarët ata që nuk kanë duruar më, pasi janë njoftuar nga ana e klubit se nuk do ta marrin pagën e janarit për shkak të situatës së vështirë prej Coronavirusit. Futbollistët janë të qartë, se “paga e janarit nuk ka lidhje me situatën aktuale” dhe këtë shqetësim, sikurse bëjnë me dije burime të Abcnews.al, e kanë shprehur te drejtori sportiv Nderim Nexhipi dhe te trajneri Orges Shehi.

Ata prisnin të merrnin rrogën e parë të vitit 2020, por nuk ka ndodhur dhe nuk dihet se kur në klubin e Kukësit do të kalojnë ndonjë pagë në llogaritë e futbollistëve. Situata nuk është aspak normale dhe FSHF duhet të ndërhyjë në raste të tilla, edhe pse ata mund të “lahen” duke thënë se nuk ka mbërritur asnjë ankesë në zyrat e tyre. Gjithashtu edhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë duhet të dalë me një qëndrim për këtë situatë.

Në fakt nuk është vetëm Kukësi që ka pasur probleme me pagesat. Te Skënderbeu kanë bojkotuar, në Vlorë janë pajtuar dhe në ndonjë skuadër tjetër heshtin dhe presin të shlyhen. Me situatën e krijuar edhe nga pandemia, futbollistët gjenden në situatë edhe më të vështirë. Veç pasigurisë për pagat e kësaj periudhe, ata duhet të presin edhe të mëparshmet.

Lojtarët e Kukësit sigurisht donin një reagim nga ana e drejtuesve të klubit, që nxjerr si justifikim pandeminë për pagën e janarit. Gjithsesi askush nuk habitet me diçka të tillë, pasi te Kukësi më parë janë gjobitur me pagën e qershorit për eliminimin nga kupat e Europës në korrik.

MARRËVESHJA – Gjatë këtij sezoni, pasi kampionati kishte nisur, lojtarët i propozuan presidentit Safet Gjici, ose ndryshe presidentit të nderit, siç mund të kenë dëshirë ta quajnë në klubin verilindor, që të mos kishte më gjoba për ekipin dhe pagat t’u kalonin rregullisht.

Kjo marrëveshje u heq atyre dy paga në fund të sezonit, në raste se nuk fitojnë titullin kampion. Pavarësisht se ranë dakord, barazimi me Luftëtarin në takimin e parë të këtij viti solli komunikimin e radhës për gjoba dhe tashmë lojtarët janë në këtë situatë, që presin pagën e parë të këtij viti. Mos të harrojmë, kemi hyrë në muajin prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat