Në ditën e sotme të vitit 1975 ka lindur legjenda e klubit të futbollit Slloga Jugomagnat nga Shkupi, futbollisti i madh, Argjend Beqiri, i cili është nga Gostivari, shkruan gazetari sportiv Reshat Ibrahimi.
Ai e ka nisur karrierën në Teteks të Tetovës, ku ka luajtur për tre sezone (1991-1994). Pas Teteksit u transferua te skuadra e Slloga Jugomagnat (FC Shkupi i sotëm) për të cilët luajti për tre sezone (1994-1997).
Dy vite (1997-1999) luajti me shumë sukses në Antwerpen të Belgjikës, kurse më pas u rikthye te Shkëndija e Tetovës.
Po në vitin 1999, majtaku Beqiri sërish u kthye te Slloga JM, duke luajtur për pesë sezone (1999-2004) dhe pikërisht me “pëllumbat” nga Çairi arriti kulmin e karrierës, duke fituar tre tituj kampioni të Maqedonisë. Për Slloga JM ka zhvilluar rreth 130 ndeshje, ndërsa ka shënuar 70 gola.
Më pas karriera e të madhit Argjend Beqiri vijoi sërish jashtë vendit te Aarau në Zvicër (2004-2006), pastaj edhe njëherë rikthehet në kampionatin tonë, kësaj radhe te Renova për dy sezone (2006-2008, 24 ndeshje, 5 gola) dhe pas Renovës ndërroi ambient duke shkuar te klubi tjetër nga Tetova, Shkëndija (9 ndeshje, 6 gola).
Kur ishte në formën më të mirë, Argjend Beqiri për dy vite (1999-2001) ishte pjesë edhe e përfaqësuesës së Maqedonisë në futboll për të cilët ka 17 paraqitje.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Beqiri ka punuar edhe si trajner te skuadra e vendlindjes, KF Gostivari (2015-2016) dhe Ferizaji në Kosovë në vitin 2017.
Aktualishtë jeton në Gostivar, ndërsa është anëtar në Këshillin Drejtues të Federatës së futbollit të Maqedonisë së Veriut.