Ademi ka vizituar stadiumin “Fadil Vokrri”, kjo ishte arsyeja

Futboll

Ademi ka vizituar stadiumin “Fadil Vokrri”, kjo ishte arsyeja

Më: 4 prill 2020 Në ora: 14:32
Ademi ka vizituar stadiumin “Fadil Vokrri”, kjo ishte arsyeja

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi gjatë ditës së sotme ka vizituar stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, aty ku i gjithë kombi përjetoi çaste lavdie e krenarie gjatë dy viteve të fundit nga djelmoshat tanë dardanë. Përgjegjësi i stadiumit Benet Rezniqi e njoftoi presidentin Ademi për punët që janë bërë gjatë periudhës prej se janë ndalur aktivitetet sportive në vend për shkak të Coronavirusit Covid-19.

Në fakt, punëtorët e stadiumit nuk i kanë ndërprerë për asnjë ditë punimet në fushë, duke u kujdesur që ta bëjnë rikuperimin dhe mirëmbajtjen e saj. Gjatë kësaj faze është rimbjellë një sasi e konsiderueshme e barit, derisa me udhëzimet e ekspertëve të kësaj fushe është bërë edhe hedhja e rërës dhe preparateve tjera të nevojshme në fushën e gjelbër. Ndërkohë, brenda objektit është bërë pastrimi dhe dezinfektimi i të gjitha ambienteve. Kësisoj, stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të jetë plotësisht i gatshëm dhe në nivelin më të mirë për ndeshjet e Kombëtares në muajt e vjeshtës së ardhshme.

Ndërkohë, edhe stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, i cili i takon kategorisë së dytë dhe ky mund të zhvillohen ndeshjet e klubeve tona në arenën evropiane, si dhe ekipet e kombëtareve të kategorive të reja dhe të femrave është mirëmbajtur dhe aktualisht është në gjendje të mirë, ndonëse MKRS e ka shpallur dhe e ka përfunduar tenderin për rinovimin e tërësishëm të tij me qëllim të ngritjes në nivelin e kategorisë së 4-të të UEFA-s, që do të ishte stadium alternativ për ekipin Kombëtar.

Ndonëse nuk dihet se kur do të fillojë rinovimi i këtij stadiumi, duke pasur parasysh se kjo është çështje e MKRS-së, FFK e sheh si mundësi që ta kërkojë rilicencimin e këtij stadiumi nga Komisioni i UEFA-s, në mënyrë që ai të shfrytëzohet për ndeshjet parakualifikuese për Ligën e Kampionëve, ku me shumë mundësi FFK prapë do të jetë organizatore e ndeshjeve të grupit.

Gjithsesi në javët në vazhdim pas kalimit të situatës së pandemisë do të shqyrtohen mundësitë nëse do të kërkohet rilicencimi nga UEFA apo do të fillojë realizimi  i projektit të MKRS-së për rinovimin e tërësishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat