Shqiptarët e mbajnë fjalën

Futboll

Shqiptarët e mbajnë fjalën

Më: 4 prill 2020 Në ora: 15:13
Shqiptarët e mbajnë fjalën

Dërgimi i 30 mjekëve shqiptarë, drejt Italisë, për t’i ardhur në ndihmë fqinjëve, për shkak të situatës së jashtëzakonshme  të Koronavirusit, bëri bujë në mediat italiane dhe jo vetëm. Të shumta kanë qënë reagimet në lidhje me këtë situatë, mes tyre edhe menaxheri italian Mario Xhiufredi, i cili ka në menaxhim edhe futbollistët e Kombëtares, Elseid Hysaj, Ledjan Memushaj dhe Emanuele Ndoji.

Në një prononcim për “Tuttomercatoweb”, ai zbuloi që sapo të përfundojë izolimi masiv në gjithë botën, të udhëtojë drejt Shqipërisë për të takuar kryeministrin Edi Rama.

“Për momentin as që bëhet fjalë të diskutohet. Të flasësh për futboll në këtë moment më duket jo e arsyeshme. Kur të nisë të shihet ‘drita’, atëherë do të rinisim diskutimet mbi rinovimin apo jo të Hysajt. Nuk dua të flas as për para’ dhe as për kontrata. Diskutimet e vetme që bëj me lojtarët e mi lidhen me shëndetin. Gjithçka që po ndodh, sipas meje, është një ndëshkim i Zotit kundrejt njeriut. Jemi mbyllur në shtëpitë tona si minjtë.

Kjo të bën të kuptosh se duhet të jetojmë jetën tonë pa fiksimin e arritjes diku, apo të egoizmit. Të gjithë duhet të rregullohemi. Të shijojmë gjërat e vogla dhe të gëzojmë jetën që është dhurata më e bukur që Zoti na ka dhënë. Kur gjithcka të ketë përfunduar, atëherë duhet të kemi zotësinë dhe inteligjencën për t’u kujtuar për këtë periudhë. Kjo situatë do të na bëjë të kuptojmë sesi të përballojmë jetën”, tha fillimisht agjenti.

TAKIMI ME EDI RAMËN – Nuk jam një person që ndjek politikën, është një botë e cila nuk më ka pëlqyer kurrë. Por Edi Rama ka qenë një ndër të paktët politikanë, për të mos thënë i vetmi, i cili ka folur me zemër dhe jo sepse duhej të bënte një fjalim institucional. Kjo e nderon, atë dhe të gjithë popullin shqiptar që është mirënjohës ndaj italianëve. Në ditët e sotme mirënjohja nuk ekziston dhe harrojmë gjithçka shumë shpejt.

Me të vërtetë u them bravo. Telefonova Hysajn dhe i thashë se sa të mbarojë gjithë kjo histori, kam ndër mend të njoh Ramën, pasi kur një person flet me zemër, është një burrë me kuptimin e plotë të fjalës. Në eksperiencën time, kam vënë re se shqiptarët e mbajnë fjalën e dhënë, njëlloj si ne napolitanët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat