Wayne Rooney e ka pranuar se nuk është dashur të shkonte fare...

Futboll

Wayne Rooney e ka pranuar se nuk është dashur të shkonte fare...

Më: 5 prill 2020 Në ora: 13:57
Wayne Rooney e ka pranuar se nuk është dashur të shkonte fare...

Wayne Rooney e ka pranuar se nuk është dashur të shkonte fare në Kupën e Botës 2006 me ekipin kombëtar të Anglisë, pasi e kishte pësuar një lëndim të rënë në këmbë para se të niste turneu.

Golashënuesi më i mirë në histori të Kombëtares angleze ishte në dyshim të madh para Botërorit në Gjermani atë vit, sepse i kishte thyer tre eshtra në shputën e këmbës duke luajtur për Manchester Unitedin në disfatën 3:0 kundër Chelseat në një ndeshje të Premierligës.

Por Rooney ishte vlerësuar i gatshëm për të luajtur në ndeshjen e dytë të Anglisë në Grupin B, kundër Trinidadit, pasi ishte riaftësuar më shpejt seç pritej. Por më vonë, ai e kishte carë muskulin në ije gjatë një ushtrimi me skuadrën.

Në vend se të dorëzohej duke hequr dorë nga pjesëmarrja në Botëror, Rooney kishte vazhduar me betejën për të luajtur.

“E godita topin nga gjysma e fushës, në përpjekje për ta goditur transversalen dhe në atë moment e ndjeva një çarje në ije. E kuptova menjëherë”, tregoi ai.

“I thashë njërit prej mjekëve të ma shëronte lëndimin në fshehtësi çdo ditë. Merrja qetësues. Nuk doja të thosha asgjë sepse shumë njerëz kishin punuar shumë për të më përgatitur mua. Nuk e lajmërova lëndimin derisa mbaroi turneun. Çarja në muskulin e ijës ishte 6 centimetra”, zbuloi ai.

Kupa e Botës për Rooney mbaroi me një karton të kuq në humbjen e Anglisë kundër Portugalisë në çerekfinale.

“Kur mendoj tani, nuk është dashur të shkoja fare në atë Kupë të Botës. Nëse Euro 2020 do të mbahej këtë vit, unë do t’i këshilloja Harry Kane dhe Marcus Rashford të mos merrnin pjesë, nëse vuanin nga dëmtimi në çfarëdo mënyrë”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat