Shqipëria është si Argjentina

Futboll

Shqipëria është si Argjentina

Më: 7 prill 2020 Në ora: 15:30
Shqipëria është si Argjentina

Agustin Torasa është një nga lojtarët më të spikatur te Tirana këtë sezon, ku po tregon një formë shumë të mirë. Argjentinasi është kthyer në një pikë kyçe për bardheblutë, duke i dhënë një ndihmë të madhe skuadrës, duke ditur që e njeh edhe shumë mirë kampionatin, pasi më parë ka luajtur edhe për rivalët e Partizanit dhe Flamurtarit.

Sulmuesi 31-vjeçar në një prononcim të dhënë për “Balon Latino”, është shprehur se Shqipëria është e ngjashme me Argjentinën, duke thënë se është befasuar me vendin tonë, për shkak se njerëzit të lënë të qetë, madje edhe nëse ke humbur dhe të shikojnë në rrugë, ata të kërkojnë foto. Gjithashtu ai ka treguar edhe diçka të veçantë, ku në shkurt të vitit të kaluar, vendosi të kalojë te skuadra kineze Janbian Fundi, e cila më pas falimentoi dhe ai u kthye në vendlindje.

“Në vitin 2007 firmosa në Austri me Salcburgun, por kisha probleme me gjuhën dhe kjo e bëri të vështirë përshtatjen. Pas 6 muajve u ktheva përsëri në Argjentinë dhe nuk u ktheva më në Austri, ku edhe kontratën e prisha nëpërmjet internetit. Kalimi te Partizani ishte më i lehtë. Kur nisa të luaj në Shqipëri kisha më shumë përvojë.

Nuk mund të them se e kisha të lehtë, pasi gjuha ishte përsëri problem, por tani pothuajse e flas të gjithë gjuhën shqipe. Për mendimin tim, futbolli në Shqipëri është rritur shumë në vitet e fundit. Tani ka më shumë të huaj se në 2016 kur erdha unë, futbolli është fizik dhe loja është rritur. Kur afrohen të huajt, rritet cilësia e kampionatit dhe bëhet më konkurrues.

Në Shqipëri futbollistët argjentinas kanë probleme vetëm me gjuhën. Çdo gjë tjetër është njësoj si në Argjentinë. Një favor është fakti që Shqipëria është afër me Italinë dhe e flasin shumë italishten, që është e ngjashme me spanjishten. Roma është vetëm një orë nga Tirana. Nuk shoh dallime të mëdha mes jetës këtu dhe në Argjentinë.

Mund të hash shumë mirë dhe nuk është shumë një vend i shtrenjtë. Ndonjëherë është më mirë të dalësh jashtë për të ngrënë, se sa ta blesh nga supermarketi dhe ta gatuash vetë diçka. Shqipëria më ka befasuar për mirë, pasi është një vend i sigurt. Kam ecur kudo dhe asgjë nuk më ndodhur. Për të mos thënë pastaj se është më e sigurt se Argjentina.

Njerëzit janë të pasionuar pas futbollit, por jo me atë çmendurinë totale që e përjeton futbollin Argjentina. Këtu mund të dilni të darkoni ose të pini diçka pas një humbjeje dhe madje ju kërkojnë edhe fotografi. Kjo nuk ndodh në Argjentinë. Pasi u riktheva në Argjentinë, mora një ofertë dhe firmosa te Flamurtari.

Në shkurt mora një ofertë nga Kina dhe e pranova. Fluturova drejt Koresë së Jugut, ku ekipi po bënte fazën përgatitore. Para se të kthehej në Kinë, doli lajmi se Janbian Fundi kishte falimentuar. Atëherë m’u desh të fluturoj në Argjentinë. Arrita ta bind klubin të paguante biletën dhe për katër muaj isha i papunë.

Në atë kohë doja të vdisja dhe mendoj për atë moment dhe them se ajo që ndodhi nuk ishte gjë, para kësaj që po përjetohet me këtë pandemi. Tirana? Jemi në vend të parë, të shkëputur me 9 pikë nga vendi i dytë. Kanë mbetur edhe 10 javë për t’u luajtur.”, përfundoi Torasa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat