Vula: A mundet zyrtarëve të FFK-s t’iu ndihmoi diçka përvoja nga e kaluara?

Futboll

Vula: A mundet zyrtarëve të FFK-s t’iu ndihmoi diçka përvoja nga e kaluara?

Nga: K. G. Më: 10 prill 2020 Në ora: 13:35
Vula: A mundet zyrtarëve të FFK-s t’iu ndihmoi diçka përvoja nga e kaluara?

Ish sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Blerim Vula dhe gazetari i mirënjohur,  ka përshkruar disa rrethana interesante të futbollit të Kosovës e deri me sot që po ballafaqohet me pandeminë, jo vetëm Kosova por e tërë bota.

“Covid 19 dhe futbolli. Futbollistët, klubet dhe vetë Federata e Futbollit e Kosovës janë në hall të madh me situatën e krijuar nga virusi korona, siç janë, tek e fundit, edhe gjithë kolegët e tyre nëpër Botë. Po bëhet një muaj që nga ndërprerja e garave në futbollin kosovar, dhe, aktualisht, askush nuk e ka të qartë se si do të zgjidhet situata që mbretëron tash.

As që mund të jetë ndryshe, pasi askush nuk mund të thotë, as përafërsisht, se kur mund të përfundoi kjo gjendje. Në situatë të tillë, është më shumë se e paqartë se çdo të bëhet me kampionatin e ndërprerë?! Për momentin, kujtoi se para FFK-s, janë tri variante – që të pritet që situata të përmirësohet dhe pastaj të vazhdojnë garat, që kampionati 2019-2020 të anulohet ose që ai të shpallet i përfunduar me ndeshjet e zhvilluara deri më tash.

Secila nga variantet i ka përparësitë dhe problemet e veta. Varianti i parë do të ishte më i drejti sa i përket anës sportive por është vështirë i realizueshëm, meqenëse, siç thamë, është tejet e vështirë të parashikohet kur mund të krijohen kushtet që kjo të bëhet, aq më parë kur, pas kësaj ndërprerjeje, futbollistëve do tu duheshin edhe 3-4 javë përgatitje për vazhdimin e garave. Nëse kampionati aktual nuk përfundon, më së largu deri me 1 apo 5 korrik, do të rrezikonte edhe rrjedhën e kampionatit të ardhshëm.

Varianti i dytë do të krijonte paqartësi se kush do ta prezanton Kosovën në edicionin e ardhshëm të kupave Evropiane ndërsa varianti i tretë do të reflektonte në pakënaqësinë e shumë klubeve që nuk do të arrijnë të realizojnë synimet e veta. Mirëpo, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë. Në këtë situatë kur po pësojnë shëndeti dhe jetët e njerëzve, kur rëndë po pëson ekonomia, arsimi, kultura dhe çdo veprimtari tjetër, as sporti, pra futbolli, nuk mund të jetë i kursyer nga pasojat!

Për ata që janë më të rinj, apo që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të kaluarën e futbollit kosovar, duhet thënë se kjo nuk është hera e parë që ai gjendet në këso situate. Që nga viti 1945 prej kur organizohet kampionati i Kosovës në futboll, ai është ndërprerë edhe 4 herë të tjera. Kampionatet 1980-1981 dhe ai 1988-1989, për shkak të demonstratave gjithë popullore të shqiptarëve, me dekret nga pushteti i atëhershëm janë ndërpre që në fillim të stinorit pranveror (siç është rasti edhe tash), e, meqenëse kampioni duhej të kalonte në rang më të lartë (në Ligën e dytë federative të ish Jugosllavisë), kampion janë shpallur skuadrat që në momentin e ndërprerjes kanë qenë në krye të renditjes tabelore – Liria e Prizrenit, përkatësisht Buduqnosti i Pejës.

Në ato kampionate, nga Liga nuk është larguar asnjë skuadër. Kampionati 1971-1972 ishte ndërprerë (po ashtu në fillim të stinorit pranveror) për shkak të paraqitjes se epidemisë “Variola-Vera”. Meqenëse rreziku nga kjo epidemi kishte kaluar relativisht shpejt (pas rreth një muaji e gjysmë), garat ishin vazhduar dhe me ritëm të përshpejtuar, ishin përfunduar.

Dhe, rasti i katërtë ka ndodh në kampionatin 1997-1998. Meqenëse në pranverën e vitit 1998, lufta çlirimtare ishte shtrirë thuajse në tërë Kosovën, stinori pranveror i këtij edicioni nuk filloi fare, në ndërkohë që në fund të stinorit vjeshtor renditjen tabelore e kryesonin, me pikë të barabarta – Vëllaznimi, Besiana dhe Besa. Ai kampionat është anuluar tërësisht dhe ai edicion nuk ka dhënë kampion. Të përkujtojmë se kampionati vijues (1998-1999), sërish për shkak të luftës çlirimtare, nuk pati filluar fare.

Pra, kështu ka qenë në të kaluarën. A mundet zyrtarëve të FFK-s t’iu ndihmoi diçka përvoja nga e kaluara, do të dëshmohet shumë shpejt”, shkruan Vula.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat