Federata zgjodhi që t’i dilte vetë për zot futbollit

Futboll

Federata zgjodhi që t’i dilte vetë për zot futbollit

Më: 10 prill 2020 Në ora: 16:52
Armando Duka

Pasi qeveria dhe shteti shqiptar zgjodhi që të braktisë përfundimisht sportin, Federata zgjodhi që t’i dilte vetë për zot futbollit dhe situatës. Nëpërmjet një pagesë prej 30 mijë lekësh të reja, do t’u jepen trajnerëve, lojtarëve dhe arbitrat. Në këtë paketë nuk përfshihen klubet të cilat menaxhohen nga ana e Bashkisë. Ndërkohë në një intervistë për “Fan Zone”, Armand Duka e ka trajtuar këtë çështje në këtë mënyrë:

“Duke marrë parasysh situatën, ku qeveria shqiptare thotë se biznesi duhet të paguajë vetë punëtorët e vetë, atëherë FSHF-së nuk mund të furnizojë buxhetet e bashkive. Vetë bashkia është e detyruar që të vazhdojë të paguajë dhe ua siguron një pagë lojtarëve që i ka në administrim, atëherë ne kemi menduar që të ndihmojmë ekipet private, për t’i vendosur në kushte të barabarta.

Nga akademitë e futbollit mund të ketë trajnerë formal apo informalë. Ne nuk i kemi parë këto, por kemi bërë kontributin tonë dhe nuk është kjo koha për t’u formalizuar në këtë periudhë të Koronavirusit. Pas saj atëherë mund të diskutojmë për të formalizuar industrinë e futbollit dhe Shqipërinë në tërësi me fushat e tjera.

Klubi që drejton vëllai i kryeministrit te Partizani, i ka punëtorët të siguruar. Kryeministri duhet të pyeste vëllain e tij kur tha se futbolli është informal, pasi atje janë 100% të deklaruar me pagesat e tyre. Nuk përjashtojmë asgjë në këtë ndihmë, megjithëse presidenti dhe drejtori Rama nuk besoj se ka nevojë për të marrë këtë pagë, por do t’ia japin atyre që kanë më shumë në nevojë.

Ne në Federatë kemi përgjysmuar pagat e larta, jo ato nën 500 mijë lekë. Kemi ulur rrogat te Kombëtarja, me trajnerin, drejtorin teknik dhe sekretarit të përgjithshëm dhe të tjerë. Kjo nuk erdhi me urdhërin tim, por kemi kërkuar respektin e tyre, pasi nuk është se kemi punuar si në ditët e para.

Ne nuk do të japim paratë vetëm për këtë muaj, por edhe për muajin tjetër nëse futbolli do të jetë ende i ndalur. Me këto rrogat e ulura shkon në 20% të fondit të përgjithshëm që kemi vendosur dhe pjesa tjetër do të kërkohet kredi nga shteti. Nëse na jepet një fond nga organizmat e futbollit europian, atëherë aq më mirë, pasi nuk do të na detyrojë për të shkuar dhe për të marrë borxhe. FIFA po mendon një ndihmë për të gjitha Federatat, shkruan sportekpres nga Tirana.

E theksoj dhe njëherë që ne kishim dy mundësi të zgjidhjes: “Të mbushnim edhe arkat e bashkive për të paguar edhe ato klube që drejtohen nga ata, ndërsa fondin që do e kishin bashkitë nuk do e jepnin për lojtarët. Njëkohësisht edhe variant tjetër që këto lojtarë të merrnin nga dy paga, nga bashkia dhe nga ne, që nuk do të ishte e drejtë për barazinë”.

Qendrimi i kryeministrit Rama nuk më ka pëlqyer, apo të ministrit për gjendjen e jashtëzakonshme, Ahmetaj, që futbollin mund ta çonte edhe te paketa “Rama 3”. Unë vij vetë nga bota e biznesit dhe e njoh shumë mirë, atje 70% është informal. Iu siguroj që futbolli është shumë më formal se gjithë realiteti shqiptar. Nuk është se e shoh vetëm futbollin si të përsekutuar. Nuk ka ndihmë reale nga qeveria për të ndihmuar bizneset në këto kohë. Pastaj ajo që thonë ata për të marrë kredi si biznes që të paguash punëtorët, është “të varosësh” veten edhe një metër më thellë”, tha Duka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat