Duka: Ja kush përfiton nga ndihma e FSHF-së

Futboll

Duka: Ja kush përfiton nga ndihma e FSHF-së

Më: 10 prill 2020 Në ora: 17:44
Duka: Ja kush përfiton nga ndihma e FSHF-së

Ditën e djeshme, nëpërmjet një deklarate të shpërndarë në faqen zyrtare të federatës Shqiptare të futbollit, presidenti i saj Armand Duka njoftoi se institucioni ka vendosur t’u vijë të ndihmë me një pagë minimale prej 30 mijë lekësh të gjithë njerëzve që merren me futboll, në këtë periudhë të vështirë të pandemisë së Covid-19.

Sot kreu i FSHF-së ishte në një lidhje direkte me emisionin “FanZone” në Supersport, ku shpjegoi se si do të shpërndahet ky kontribut, komentoi vendimin e qeveris për të mos ndihmuar futbollin dhe dhe iu përgjigj pyetjeve të tjera nga paneli e fansat.

Jeni federate e parë që ndihmon futbollin në vendin përkatës…
Ne jemi një federatë që administrojmë shtëpinë e futbollit në Shqipëri. Duke shfrytëzuar ato financa që kemi, kemi vendosur të bëjmë këtë paketë financiare që mund t’i vijë në ndihmë të gjithëve. Nga kjo do të fitojnë të gjithë, futbolli i moshave, ekipet e femrave. Sot administrata e federatës ka filluar procedurën dhe ka nisur shpërndarjen. Nuk jam i sigurt për numrin që do të fitojë nga kjo. Buxheti është 40 milionë dhe mendoj se do të fitojnë të gjithë.

Jeni i sigurt që janë përzgjedhur saktë kategoritë që do të përfitojnë nga kjo pagë emergjence?
Ndoshta edhe ndonjë gabime mund të ndodhë. Kjo është si ajo dasma ku ftoi të gjithë dhe i dha dhuratë dhe më pas u mërzitën pse i dhe atij pse këtij. Kjo është një ndihmë financiare meqë loja ka ndaluar. Kemi bërë ndarjen që të gjithë të jenë të barabartë në këtë situatë.Të gjithë në Komitetin Ekzekutiv kemi diskutuar gjerësisht çdo kategori dhe mendoj se kemi vepruar drejt, duke parë edhe mundësitë tona.

Keni thënë se nuk do të mbështesni klubet që janë në pronësi të bashkisë, pro keni përfshirë në skemë Vllazninë dhe Flamurtarin. Pse keni vepruar kështu?

E kemi diskutuar gjatë dhe kemi argumentet tona. Duke marrë parasysh situatën në të cilën jemi. Qeveria thotë se biznesi duhet të paguajë vetë punëtorët, në këtë situatë nuk ka arsye pse të paguajmë për bashkitë, të cilat kanë buxhetet e tyre për të paguar. Vllaznia dhe Flamurtari janë aty, pasi ne fillimisht menduam të ndihmojmë vetëm skuadrat e Superiores, por duke qenë se buxhet kishim për ta shtrirë më tej këtë ndihmë, e vijuam edhe me përfshirjen e kategorive të tjera.

Pas deklaratës tuaj, me humor u diskutua se Duka përgjysmoi pagën e punonjësve të FSHF-së, një institucion ku vetë nuk merr rrogë dhe po i jep një pagë lufte vëllait të kryeministrit…
Te klubi ku drejton vëllai i kryeministrit, ka një sistem pagash të deklaruara dhe paguhen sigurimet. Natyrisht që ai do ta marrë atë pagë, sepse i takon, por jam i besoj se do e japë për ata që kanë më shumë nevojë. Përgjysmimi i pagave, nuk ka ndodhur për ato deri në shifrën e 50 mijë lekëve. Janë përgjysmuar pagat e larta, kryesisht stafi i kombëtares, trajneri dhe të tjerët, të cilëve iu kemi kërkuar atyre një mirëkuptim dhe ndihmë. Nuk jemi të parët që kemi kërkuar solidaritet.

Cili është burimi I këtyre parave?
Në vendimin e Komitetit Ekzekutiv, burimi u konsiderua humbje. E kemi parashikuar vetëm një pagesë, por vetëm për një muaj. Nëse situata vazhdon kështu, do ketë edhe për muajin tjetër. Kemi parashikuar të marrim një kredi, të cilën do e shlyejmë nga buxheti i vitit të ardhshëm.

Edhe FIFA është shprehur për të ndihmuar financiarisht futbollin në këtë periudhë pandemie…
Dje ka qenë një koincidencë që ne kemi deklaruar këtë projekt dhe presidenti i FIFA-s shpërndau një mesazh. Aty thuhej se FIFA po mendon për ndihmë financiare. Unë i kam dërguar një mesazh falënderimi. Ka pasur një mbështetje nga FIFA për të gjithë, jo vetëm për tani por edhe nëse kemi nevojë më vonë. Nëse kemi një ndihmë nga FIFA atëherë nuk kemi pse të marrim kredi.

Nuk mendoni se edhe lojtarët që paguhen nga bashkia, kanë nevojë për këtë rrogë?
Në arsyetimin tonë ishte, që nëse akordonim një rrogë dhe bashkia të mos jepte rrogë se paguan FSHF. Dhe versioni i dytë ishte që ata do merrnin dy paga, nga bashkia dhe FSHF, por nuk mund të jepen dy rroga në këtë situatë. Në këtë këndvështrim kemi menduar që të jepet një rrogë. Në fillim ishte ideja të ndihmohej vetëm Superiorja. Kontributi i këtyre ekipeve si Vllaznia dhe Flamurtari nuk është i njëjtë. Nuk jemi për të vendosur formalizimin e krizës në këtë situatë. Klubet e Bashkisë në Superiore do marrin 100%, ndërsa për të tjerat jo.

Keni komunikuar me Ramën gjatë kësaj kohe për t’i kërkuar ndihmë?
Komunikimi ka qenë institucional, ne kemi kërkuar që në paketat financiare të përfshihet edhe futbolli. Jo vetëm që nuk e përshinë, por ka thënë se futbolli te ne nuk është formal dhe nuk meritojmë mbështetje. Kjo nuk është e vërtetë pasi futbolli shqiptar është formal. Shumica e klubeve këtu janë pronë e bashkisë dhe unë nuk besoj se bashkitë kanë gjetur ndonjë rrugë për t’i paguar në të zezë futbollistët e tyre. Problemi i vetëm është se disa klube kanë vonuar shlyerjen e sigurimeve shoqërore, por ata i kanë deklaruar në pagat e lojtarëve të sakta dhe nuk mund të quhet informalitet. E kundërta është e vërtetë, që futbolli është një nga sferat më formale në vend. Unë jam aktiv edhe në biznes, ndaj e kam të qartë që në Shqipëri rreth 70 % e tregut është informal.

A është e vërtetë që Shqipëria do të presë finalen e UEFA Europa Conference League?
Kemi aplikuar për finale e parë dhe jemi kandidatë për të fituar këtë të drejtë. Shpresoj që do të gjejmë mbështetjen e anëtarëve të ekzekutivit dhe të marrim të drejtën e zhvillimit të finales në “Air Albania”.

Nëse Tirana fiton titullin kampion, a do të lejohen tifozët në stadium për të festuar?
Kjo nuk varet nga unë, por nga autoritetet dhe kryesisht nga situate që do jetë në kohën kur të vijë ky moment. Fillimisht duhet të mendojmë që të rifillojmë, të rinisim të luajmë ndeshjet dhe të shkojmë deri në fund, pastaj të shpresojmë rikthimin sa më shpejt të tifozëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat